MEICO padit Delijorgjin, e akuzon për mospërmbushje të detyrimeve
Pavarësisht se proçesi gjyqësor i tragjedisë së Gërdecit ka përfunduar, nuk ndodh kështu mes kompanive, të cilat kanë qenë të përfshira proçesin e demontimit të armëve. Kështu në një padi të regjistruar në gjykatën e Tiranës, kompania shtetërore MEICO ka paditur kompaninë Albademil, për mos përmbushjen e detyrimeve kotraktuale.
MEICO ka paditur në gjykatën e Tiranës firmën e Mihal Delijorgjit, pasi ai i detyrohet kësaj kompanie 405 mijë dollarë amerikanë, sepse Delijorgji nuk ka përmbushur detyrimet kontraktuale në fabrikën e demontimit në Gërdec.
Sipas padisë së regjistruar në gjykatën e Tiranës, MEICO ka furnizuar me municion fabrikën e Gërdecit dhe ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj karshi Albademil.
Ndërsa për këto detyra të kryera ajo nuk është paguar nga Albademil dhe vlera e këtij detyrimi llogaritet në 405 mijë dollarë. Dosja, e cila mban nr.16461 do të gjykohet nga gjyqtarja Enkela Vlora dhe seanca e parë do të zhvillohet në datën 14 shtator, ku pritet edhe paraqitja e palëve.