E Diel, 1 Nëntor 2026

META DHE SFIDA E TIJ

Tashmë, kur "zjarret" zgjedhore janë fashitur dhe qeveria e re është konturuar, secili nga ministrat ka filluar ambientimin me detyrën e re. E në këtë mes, risia janë tre ministrat e rinj me prejardhje nga LSI-ja, por prozhektorët kryesisht do të bien mbi Ministrinë e Jashtme, për faktin se do të drejtohet nga Ilir Meta, e gjithashtu që është dikasteri me detyra konkrete për liberalizimin e vizave, aq të pritur nga shqiptarët.

Megjithëse nuk varet vetëm nga Ministria e Jashtme, por përkundrazi, në këtë rast ajo është ndërlidhësja e shtetit shqiptar me Brukselin, dhe rolin kryesor e ka i gjithë ekipi qeverisës, kjo është një nga çështjet që do t‘i vendosë notën pjesëmarrjes së Metës në qeveri. Dhe këtë fakt, Meta, si "veteran" i këtij dikasteri dhe i marrëdhënieve me jashtë, e di mirë. Megjithatë ai e pranoi sfidën. Por përveç saj, Ministria e Jashtme ka shumë objektiva, të padukshme për sytë e publikut dhe të paprekura shpesh në media për karakterin e tyre profesional, shpesh diskret, por jo më pak të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Shefi i ri i diplomacisë e di më mirë se kushdo që në marrëdhënie me ndërkombëtarët duhet shumë më tepër se një anglishte e mirë dhe që, nëse diplomacia shqiptare në rang global mund të bëjë pak, në nivel rajonal ka mundësi që shumë probleme t‘i zgjidhë ose t‘u japë rrugë me iniciativat e saj. Nëse nuk mund të ketë peshë sinjifikative në zgjidhjen irakiane ose afgane, në atë kosovare, diplomacia shqiptare mund të bëjë shumë, në drejtim të njohjes së mëtejshme në arenën ndërkombëtare. Përjashtuar ndonjë vend periferik, shtetet e rëndësishme që e njohin Kosovën kanë mbetur po ato që ishin në vrullin e parë të shpalljes së pavarësisë, e që u detyruan, me hir e me pahir nga "mamia" e pavarësisë - Shtetet e Bashkuara të Amerikës - të njihnin republikën e sapolindur.

Arsyet e kësaj gjendjeje janë të shumta. Ndër to mund të rreshtohen faktorët e brendshëm kosovarë, si mungesa e kuadrove diplomatikë; papjekuria e elitës politike; mungesa e përvojës në lobim, mungesa e koordinimit me faktorin ndërkombëtar që operon në terren (i ardhur ky shkak edhe për mungesë kohezioni të këtyre operatorëve me qendrën, por edhe për mungesë uniteti të qendrave vendimmarrëse ndërkombëtare me shkak simpatitë proserbe); e së fundmi, një farë folklorizmi në perceptimin e pavarësisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare nga faktori shqiptar vendas.

Ndërsa, si faktorë të huaj që mbajnë të frenuar këtë proces, mund të përmendet zhvendosja e vëmendjes së Shteteve të Bashkuara drejt Azisë; simpatitë e botës sllave edhe brenda Bashkimit Europian; gjallërimi i ndjenjave proserbe në aktorë jo pak të rëndësishëm perëndimorë, për shkak të uljes së presionit amerikan; dhe ç‘është më e rëndësishmja, lobimi i fuqishëm i diplomacisë serbe, për të gjetur ku janë e ku s‘janë mbështetësit e saj, duke luajtur si me asetet ekonomike, ashtu edhe me simpatitë e vjetra për ish-Jugosllavinë. Ndikon shumë në këtë terren fakti se, diplomatët serbë, si nga ana cilësore, ashtu edhe për nga mbështetja ekonomike, janë më të favorizuar se ata kosovarë. Të pranishëm në korpusin diplomatik serb ka juristë të aftë të së drejtës ndërkombëtare; ndërsa konsiderohet ende si traditë rekrutimi direkt ose mbështetja indirekte e personaliteteve kulturore të mirënjohur serbë në Perëndim (edhe Ivo Andriç, çmimi "Nobel" në letërsi, në vitin 1961, ka qenë pjesë e korpusit diplomatik).

Fitimi i së drejtës për t‘u gjykuar nga Gjykata Ndërkombëtare e OKB-së, tratativa direkte dhe profesionale me EULEX-in, dhe shumë beteja më pak të bujshme, por po aq të rëndësishme për të frenuar, e pse jo ndaluar trupëzimin përfundimtar të Kosovës si shtet tërësisht sovran, janë faktorë që tregojnë se trajnimi i tyre nuk ka të sharë. Qoftë edhe me mbështetjen e diplomacisë shqiptare, ky disavantazh vështirë të barazohet. Ndaj krahas rritjes së përdorimit të aseteve më të mira të shtetit shqiptar, është e nevojshme të tërhiqet rishtas, sadopak, vëmendja e faktorit amerikan. Në të kundërt, këto vonesa në përcaktimin e kuadrit ligjor dhe të drejtave e detyrimeve të Kosovës në arenën ndërkombëtare, në mënyrë përfundimtare do të rrisin pasigurinë në këtë republikë, do të shtojnë nervozizmin e të gjitha popullatave lokale, çka mund të shprehen me akte të dhunës ndëretnike, e mbi të gjitha do të vonojnë investimet e huaja, aq jetike për zhvillimin ekonomik.

Shërbimit të jashtëm shqiptar do t‘i duhet rishtas të fillojë një ofensivë për njohjen e Kosovës nga anëtarët e Konferencës Islamike. Prania anemike e shtetit shqiptar në këtë organizatë, duke pasur frikë etiketimin si bazë e fondamentalizmit islam, duhet të marrë fund, pasi në gjithë literaturën profesionale diplomatike, ndërhyrja e Perëndimit në favor të shqiptarëve myslimanë të Kosovës jepet si shembull për të treguar paanshmërinë e politikave ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha, e ku Perëndimi nuk është kundërshtari i Islamit, por mbrojtës i të drejtave të njerëzimit, pa dallim race e besimi. Për ironi të fatit, Serbia, shteti që për pesë vjet ishte kasapi i myslimanëve dhe mbrojtës i Krishtërimit (siç deklaronte Millosheviçi), mbështetur edhe nga Rusia (e cila ka statusin e vëzhguesit në këtë organizatë), po përgatitet të kërkojë statusin e vendit anëtar, megjithëse ka vetëm 3% myslimanë, e për më tepër, edhe ata janë shqiptarë ose me prejardhje të tillë.

Një tjetër objektiv është edhe marrëdhënia me fqinjët tanë dhe kryesisht anëtarët më të vjetër në Bashkimin Europian, qoftë për t‘i pasur si "sponsorë" të anëtarësimit tonë në këtë bashkim, qoftë për të rritur praninë e tyre ekonomike në vendin tonë. Duke lënë mënjanë Greqinë, e cila nuk ka potenciale të mjaftueshme për të qenë një sponsor i fuqishëm i ekonomisë tashmë 7-milionëshe shqiptare, Italia mbetet faktori më interesant, por njëkohësisht edhe më i vështirë për t‘u ndjellë në tokën tonë.

Mbarimi i luftërave ballkanike të fundshekullit të shkuar e gjeti Ballkanin Perëndimor me një Slloveni e Kroaci, dukshëm të dëshiruar të ishin pjesë e sferës së ndikimit gjerman, trashëgimi edhe nga psikologjia e "Mittle Europës" së fillimshekullit të shkuar; me Shqipërinë ende një treg i vogël dhe pa infrastrukturë; Bosnjë-Hercegovinën ku shumë pak kanë besim në jetëgjatësinë e saj, e akoma më pak duan të investojnë aty; dhe me Serbinë, e cila nuk donte të hynte në influencën ekonomike gjermane, me dëshirën e pafshehur edhe në ditët e sotme, që "sponsori" i rimëkëmbjes së tyre të jetë Rusia, e për këtë nuk kanë ngurruar t‘i afrojnë koncesione në ndërmarrjet e mëdha. Por Rusia nuk mund të ofrojë investime në teknologji kompetitive për tregun botëror, ndaj investitori potencial më i afërt në ekonominë serbe është Italia. Dëshira italiane për të marrë pjesë nga "torta" e ekonomisë serbe ekziston që në kohën kur ende mbretëronte Millosheviçi, kur "Telecom Italia" privatizoi "Telecom Serbia" me ndihmën e ryshfeteve, paguar në llogaritë sekrete të Millosheviçit në Qipro, e me paratë e së cilës serbët paguan luftën në Kosovë. Në diplomacinë italiane gjithmonë ka pasur një segment filoserb, e që po forcohet jo pak kohët e fundit.

Megjithëse Kongresi i Berlinit i vitit të largët 1878 Italisë i caktoi Shqipërinë si domen të saj, ka ekzistuar gjithmonë dëshira që ta shkëmbejë vendin tonë të vështirë për t‘u qeverisur, e deri vonë politikisht të paqëndrueshëm, me Libinë e pasur me naftë, dhe Serbinë me infrastrukturë, inteligjencë dhe administratë të nivelit europian. Por fati e do, që porta e vetme ku kapitali dhe mallrat italiane mund të hyjnë në zemër të Ballkanit, është Durrësi dhe jo portet kroate, që ende i shohin vëngër targat serbe dhe u krijojnë njëmijë e një vështirësi në dogana.

Infrastruktura shqiptare gjithmonë e më në zhvillim e bën Shqipërinë një bazë ideale për ekspansionin italian drejt qendrës së Ballkanit dhe lindjes së tij, Bullgarisë e Rumanisë. Por duhet të jetë objektiv primar edhe shndërrimi i ekonomisë shqiptare në një bazë prodhimi të markës italiane. Dhe arritja e këtij qëllimi kërkon jo vetëm thithjen e investitorëve puliezë të bregut përballë, por mbi të gjitha thithjen e kapitaleve të mëdha të veriut të Italisë, përfaqësuesit e të cilit kanë fuqinë të investojnë në industrinë e madhe, të zhvillojnë infrastrukturën për të lidhur Morinën me autostradat e Serbisë, mbi të gjitha të ndikojnë në vendimmarrjen e Romës, e rrjedhimisht të Brukselit, për të pasur suport politik.

Për sa parashtruam më sipër, janë vetëm disa nga pikat kryesore, që stafi i Metës do të merret në ditët e ardhshme, krahas shumë prioriteteve të tjera, me të cilat politika e jashtme përballet çdo ditë. Duke parë në të shkuarën, këto janë objektiva që i kanë ndjekur qeveritë shqiptare, pavarësisht ngjyrës së tyre. Është në interesin e të gjithëve afrimi sa më shumë i ditës së realizimit të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›