E Diel, 1 Nëntor 2026

METE apel CEZ te siguroje energji pa nderprerje per qytetaret

Ministria e Ekonomisë dhe Energjitikës fajësoi kompaninë e shpërndarjes CEZ për ndërprerjen e furnizimit me energji të konsumatorëve në disa zona në vend.
Për këtë arsye ky dikaster i bëri thirrje sot CEZ-it që të marrë masa për furnizimin e plotë me energji. Zëvendësministri, Enno Bozdo ka deklaruar se ndërprerja e energjisë tek konsumatorët nuk vjen për shkak të mungesës së saj, por për shkak të problemeve të brendshme të CEZ.   “Qeveria ka importuar e vazhdon të importojë energji, që të mos mungojë tek asnjë konsumator, por përgjegjës për këtë situatë është CEZ, e cila problematikën e rëndë të brendshme e ka transmetuar tek konsumatorët. Kujtojmë që METE është duke monitoruar nga shumë afër situatën, ne kemi vënë në dijeni të gjitha organet kompetente për të siguruar se çdo gjë do shkojë normalisht”, deklaroi Bozdo.  Sipas tij, furnizimi me energji është kompetencë e CEZ, prandaj duhet të veprojë me urgjencë për forcimin e bazës materiale, mungesa e transformatorëve, kabllove rezervë nuk duhet të ndikojë në mungesën e energjisë për konsumatorët familjarë apo për bizneset.  METE ka marrë të gjitha masat për të siguruar mbarëvajtjen e festave të fundvitit si dhe po monitoron nga afër situatën. 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›