Tregu ne prag te festave

Megjithëse, data 31 po afron, qytetarët shqiptarë nuk kanë blerë akoma gjelin e detit. Ata janë duke pritur afrimin e fundit të vitit, me qëllim që të gjejnë një produkt sa më të lirë.
Por, ka edhe nga ata që kanë vendosur tashmë ta blejnë gjelin tradicional të detit, që plotëson tryezën e darkës së ndërrimit të viteve.
Çmimi i gjelit të detit varion nga 40 mijë deri në 70 mijë lekë të vjetra, në varësi të peshës së tij. Qytetarët shprehen se kjo vlerë është e njëjtë si një vit më parë.
Kontrollet sistematike që po ushtrohen në tregje nga inspektorët e bashkisë së kryeqytetit kanë dhënë efektin e tyre. Të gjendur nën monitorim, tregtarët kanë pushuar së qeni të prirur për të rritur çmimet e produkteve në këtë periudhë të vitit.
Që në fillim të muajit dhjetor Bashkia e Tiranës nisi kontrollet e përditshme në tregje, me qëllim ndalimin e rritjes abuzive të çmimeve si dhe garantim për tregtimin e produkteve sa më cilësore.