METEO – Qipro goditet nga dy tërmete të fuqishme

ATHINË, 12 nëntor /ATSH-DPA/- Qiproja u trondit sot nga dy tërmete të fuqishme.
Epiqendra e tërmeteve ndodhej afërsisht 25 kilometra në verilindje të vendpushimit turistik të Pafos.
Media qipriote raportoi se dridhjet e forta ishin ndjerë në të gjithë ishullin deri në brigjet e Turqisë, Izraelit dhe Libanit.
Studimi Gjeologjik i Qipros tha se tërmeti i parë në mëngjes kishte një magnitudë prej 5,3 ballë Rihter.
Banorët dolën në rrugë dhe shkollat u evakuuan si masë paraprake. Kjo u pasua nga dridhje të shumta të vogla.
Tërmeti i dytë i fortë ndodhi gjatë pasdites, me një magnitudë mbi 5 ballë Rihter.
“Ekspertët ishin të kujdesshëm me parashikimet e tyre. Deri më tani nuk ka pasur dëme të konsiderueshme“, tha zëdhënësi i Mbrojtjes civile, Panayiotis Liassides për Alpha TV.
Sizmologët theksuan se do të duheshin 48 orë përpara se të bëhej e qartë se cili nga tërmetet ishte kryesori. //a.i/