MF: 2,9 miliardë lekë nga tatimi mbi fitimin në buxhet

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin gjatë muajit janar, u realizuan në masën 2,9 miliardë lekë.
Sipas raportit të publikuar nga Ministria e Financave mbi treguesit fiskalë paraprakë, këto të ardhura rezultojnë rreth 100 milionë lekë më shumë se janari i 2024-ës, kur u mblodhën rreth 2,8 miliardë lekë.
Për vitin 2025, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin programohen të jenë 65,7 miliardë lekë, ose 10,1% më shumë, krahasuar me të pritshmin e vitit 2024.
Ministria e Financave bën të ditur se parashikimi i tatimit mbi fitimin për vitin 2025 bazohet në të ardhura nga mirëadministrimi, të ardhura shtesë nga Strategjia Afatmesme e të Ardhurave për vitin 2025, si dhe forcimi i kontrollit të deklaratave, bazuar në kriteret e riskut.
/r.e//a.f/