E Hënë, 2 Nëntor 2026

MILANO 2026 – Në Olimp ndizet Flaka e Lojërave

BERLIN, 26 nëntor /ATSH-DPA/ – Flaka për Lojërat Olimpike Dimërore 2026 u ndez sot gjatë një ceremonie në Olimp, Greqi.

Megjithatë, ngjarja zyrtare, u zhvendos nga vendi arkeologjik i Olimpit në një sallë të brendshme të muzeut arkeologjik për shkak të parashikimeve për shi.

“Flaka që ndezim sot bart jo vetëm shpresat e sportistëve, por edhe ëndrrat e të gjithë atyre që besojnë në fuqinë e sportit. Një fuqi që na frymëzon dhe na bashkon”,  tha presidentja e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik (KNO), Kirsty Coventry.

Për Coventry, e para grua që drejton KNO-n, kjo ishte ceremonia e parë e ndezjes së flakës si presidente e organizatës që nga zgjedhja e saj në muajin mars.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që ceremonia e sotme na kujton për çfarë janë lojërat, për të na bashkuar në garë paqësore”, shtoi ajo.

Pavarësisht zhvendosjes së ceremonisë, flaka u ndez sipas traditës në Tempullin e Herës gjatë një provë emergjente të hënën, pasi qielli u hap për një moment.

Aktorja Mary Mina, përdori rrezet e diellit dhe një pasqyrë konkave për të ndezur flakën, e cila u dërgua në muzeun arkeologjik për ceremoninë e sotme.

Petros Gkaidatzis, fitues olimpik i medaljes së bronztë në garat me varkë në Paris 2024, ishte bartësi i parë i flakës.

Ai mbajti flakën së bashku me kampionen olimpike italiane të skive, Stefania Belmondo.

Numri i mysafirëve që morën pjesë në ceremoni u reduktua ndjeshëm, pa praninë e spektatorëve.

Pas një qëndrimi  njëjavor në Greqi, flaka do të udhëtojë 2 200 kilometra përmes vendeve ikonike të vendit, përpara se të dorëzohet tek organizatorët e Lojërave të 2026-s në Milano dhe Cortina d’Ampezzo më 4 dhjetor në Itali.

Flaka do të vizitojë të gjitha 20 rajonet, 110 provincat dhe 300 komunat përpara ceremonisë së hapjes më 6 shkurt 2026 në Milano.

“Këto Lojëra janë një pjesë kritike e historisë sonë. Në një botë të ndarë si ajo ku jetojmë sot, lojërat kanë një kuptim të vërtetë simbolik”, tha Coventry.

“Është detyra jonë të sigurojmë që sportistët nga e gjithë bota të mund të bashkohen paqësisht dhe të frymëzojnë ëndrrat dhe shpresat e njerëzve në mbarë botën”, shtoi ajo./ /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›