E Hënë, 2 Nëntor 2026

SOFT NEWS – Hoteli më i lartë në botë, “Ciel Dubai Marina”, hap dyert

DUBAI, 26 nëntor /ATSH/ – Dubai ka përuruar zyrtarisht hotelin më të lartë në botë, “Ciel Dubai Marina”, pjesë e “Vignette Collection” nga IHG, sipas Euronews.

Ky hotel arrin 377 metra lartësi, ka 82 kate dhe 1 004 dhoma dhe suita, duke ofruar pamje spektakolare të “Palm Jumeirah”, horizontit të Dubait dhe Gjirit.

Dizajni i hotelit, nga arkitektët e “NORR Group”, është i përqëndruar tek lartësia dhe struktura ka kaluar analiza të avancuara për rrjedhën e ajrit dhe erës për të siguruar stabilitet dhe rehati maksimale për vizitorët.

Një nga atraksionet më të veçanta është pishina infinity në katin e 76-të, një nga më të lartat në botë.

Hoteli ka gjithashtu tetë restorante që ofrojnë kuzhinë mesdhetare, aziatike dhe konceptet moderne, me kulminacionin në “Tattu Sky Lounge & Terrace” në katin e 81-të, ku vizitorët mund të shijojnë muzikë, kokteje dhe pamje të mrekullueshme.

Përveç restoranteve dhe bareve, hoteli ka palestër me  shërbim 24 orë me pamje nga qielli i Dubait dhe akses në ”Soluna Beach Club” në Palm Jumeirah.

Spa-ja e hotelit pritet të hapet në shkurt 2026 në katin e 61-të, duke ofruar trajtime relaksuese me pamje panoramike.

Me këtë hapje, “Ciel Dubai Marina” jo vetëm që vendos një rekord botëror, por gjithashtu forcon statusin e Dubait si një destinacion global të turizmit dhe biznesit, duke ofruar një përvojë luksi, inovacioni dhe qëndrueshmërie në çdo nivel./   /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›