E Martë, 3 Nëntor 2026

MM: Vijon operacioni për gjetjen e një punonjësi të zhdukur në masivin e kromit në Klos

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur sot se në vendin e quajtur “Qafa e Burrelit”, në ambientet e fabrikës së përpunimit të kromit që ndodhet në territorin e bashkisë Klos, ka ndodhur një rrëshqitje masive dheu.

Ngjarja e rëndë ka përfshirë një mjet tip ekskavator dhe ka mbuluar një punonjës të kompanisë që operon në shfrytëzimin e mineraleve në këtë zonë.

Menjëherë pas ngjarjes, janë angazhuar forca të shumta në përpjekje për të gjetur dhe nxjerrë trupin e punonjësit të zhdukur.

MM njoftoi se, në operacionin kompleks janë përfshirë: Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi i bashkisë Klos, forcat e Policisë, punonjës të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM), ekip mjekësor me autoambulancë, forca vullnetare nga komuniteti, efektivë të Forcave të Armatosura me pajisje për detektimin e metaleve si dhe punonjës të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Rrëshqitja e ndodhur përfshin një masë të konsiderueshme dheu, me përmasa të vlerësuara rreth 500 metra gjatësi, 20 metra gjerësi dhe mbi 4 metra thellësi.

Terreni në zonën e prekur mbetet i paqëndrueshëm, çka ka sjellë vështirësi të mëdha në ndërhyrjen me mjete të tjera të rënda, për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të mëtejshme.

Për këtë arsye, ndërhyrjet po kryhen me kujdes ekstrem, për të shmangur çdo rrezik shtesë për forcat e angazhuara në operacion.

Megjithatë, aktualisht në një pjesë të luginës është bërë e mundur ndërhyrja me ekskavatorë dhe mjete të tjera ndihmëse.

MM shton se, pavarësisht përpjekjeve të pandërprera, deri në këto momente nuk është bërë e mundur lokalizimi apo nxjerrja e trupit të punonjësit të ekskavatorit.

Operacioni i kërkimit vijon me përkushtim maksimal, duke respektuar të gjitha protokollet e sigurisë dhe në bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve përkatëse, thekson MM.

Sipas njoftimit të policisë të datës 3 maj, “rreth orës 14:00, në qafën e Burrelit, në fabrikën e pasurimit të kromit, e marrë me qira nga një shoqëri kineze, shtetasi A.B., teksa po punonte me një automjet fadromë për gërryerjen e një rezervuari, dyshohet se është shembur një masiv dheu dhe, për pasojë, ka zënë poshtë punëtorin bashkë me mjetin e punës.

“Shërbimet e Policisë dhe ato të ekipit të urgjencës po punojnë për gjetjen e shtetasit A.B. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje”, njoftonte Policia. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›