E Martë, 3 Nëntor 2026

Balluku viziton fabrikën në Zharrëz të Patosit: Paga dhe kushte dinjitoze pune


TIRANË, 6 maj/ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zhvilloi një vizitë në një fabrikë të çelikut në Zharrëz të Patosit, e cila përpunon çelik për tavolina dhe produkte të tjera metalike.

Gjatë kësaj vizite, ajo e vlerësoi fabrikën si një model të suksesshëm për eksportin e mallrave shqiptare dhe zhvillimin e prodhimit lokal.

Në bisedat me drejtuesit e fabrikës, u evidentua si shqetësim mungesa e punëtorëve të kualifikuar në sektorin e prodhimit të çelikut.

Balluku theksoi rëndësinë e kushteve të mira të punës dhe nivelit të pagave si faktorë të rëndësishëm për tërheqjen e punonjësve të kualifikuar.

“Informacioni është i rëndësishëm për tregun e punës. Nëse ata informohen, sepse është mirë të dinë që paguhen mirë dhe se kushtet e punës janë të mira. Sepse për ta është më mirë të qëndronin në vendin e vet se sa të shkonë diku jashtë e të marrin mbase një pagë më të mirë, por duhen llogaritur kostot e jetesës atje”, tha Balluku.

Ajo shtoi se pjesa më e madhe e bizneseve që po ngrihen, janë nga ata që e kanë provuar fillimisht emigrimin.

Balluku nënvizoi rëndësinë e projekteve zhvillimore përgjatë vijës bregdetare Seman-Klos, të cilat, sipas saj, do të ndihmojnë në rritjen e të ardhurave të kompanive dhe nxitjen e mëtejshme të punësimit dhe prodhimit lokal.

Ajo deklaroi se zhvillimi i sektorëve të prodhimit dhe eksportit është kyç për forcimin e ekonomisë shqiptare dhe krijimin e mundësive të reja për punësim dhe zhvillim rajonal. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›