E Diel, 1 Nëntor 2026

MOSKË – Kremlini: Pritshmëri të larta për vizitën e Putinit në Kinë

MOSKË, 18 maj /ATSH-DPA/ – Rusia ka pritshmëri të larta për vizitën e presidentit rus, Vladimir Putin në Kinë këtë javë dhe të dyja vendet do ta shfrytëzojnë atë për të zhvilluar më tej partneritetin e tyre të privilegjuar, njoftoi sot Kremlini, raportoi “Reuters”.

Putin pritet të vizitojë Kinën të martën dhe të mërkurën, më pak se një javë pas vizitës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili zhvilloi bisedime me presidentin kinez, Xi Jinping.

Marrëdhënia e ashtuquajtur “pa kufij” mes Kinës dhe Rusisë – prodhuesja më e madhe në botë e burimeve natyrore – është forcuar ndjeshëm që nga vendosja e sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.

“Ne dhe miqtë tanë kinezë e quajmë këtë një partneritet, veçanërisht të privilegjuar dhe strategjik”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Delegacioni rus do të përfshijë zëvendëskryeministra, ministra të qeverisë dhe drejtues kompanish”, shtoi ai.

I pyetur nëse gjatë vizitës do të diskutohen planet për gazsjellësin e propozuar “Power of Siberia 2”, që mund të transportojë deri në 50 miliardë metra kub gaz në vit nga fushat e Arktikut në Rusi drejt Kinës përmes Mongolisë, Peskov u përgjigj se të gjitha çështjet ekonomike në marrëdhëniet dypalëshe do të trajtoheshin.

“Të gjitha çështjet që janë në agjendën ekonomike të marrëdhënieve tona dypalëshe do të trajtohen natyrshëm”, tha ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›