E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Izraeli ndalon sërish flotiljen ndërkombëtare të ndihmave për Gazën në ujërat pranë Qipros

TEL AVIV, 18 maj /ATSH-DPA/- Forcat detare izraelite kanë ndërmarrë sërish veprime kundër flotiljes ndërkombëtare të ndihmës për Gazën, sipas pamjeve të transmetuara drejtpërdrejt sot nga “Flotilja Globale Sumud”.

Pamjet tregonin marinën izraelite duke hipur në një nga anijet me aktivistë, ndërsa, sipas sistemit të gjurmimit të vetë organizatorëve, flotilja ndodhej në perëndim të Qipros.

Organizatorët e cilësuan ndërhyrjen si një “sulm” ndaj anijeve të tyre, duke thënë se incidenti ndodhi rreth 250 milje detare larg bregut të Gazës.

Sipas medias izraelite “Ynet”, marina mori kontrollin e disa anijeve të flotiljes dhe aktivistët në bord pritet të arrestohen e të transferohen në një anije ushtarake, përpara se të dërgohen në portin izraelit të Ashdod-it.

Në raste të mëparshme, aktivistët ndërkombëtarë janë deportuar drejt vendeve të tyre.

Ministria e Jashtme izraelite deklaroi në platformën X se në flotilje ndodheshin edhe “dy grupe të dhunshme turke”, njëri prej të cilëve, sipas saj, është i shpallur organizatë terroriste.

Sipas autoriteteve izraelite, qëllimi i flotiljes ishte t’i shërbente Hamasit, të largonte vëmendjen nga refuzimi i Hamasit për t’u çarmatosur dhe të pengonte përparimin e planit të paqes të presidentit amerikan Donald Trump.

Izraeli theksoi se nuk do të lejojë shkeljen e bllokadës detare ndaj Gazës, e cila është në fuqi që prej vitit 2007.

Turqia dënoi ashpër ndërhyrjen, duke e cilësuar atë, një akt të ri “piraterie”.

Ministria e Jashtme turke kërkoi lirimin e menjëhershëm të të ndaluarve dhe njoftoi se do të marrë masat e nevojshme për kthimin e sigurt të shtetasve të saj.

Flotilja ishte nisur sërish drejt Gazës të enjten e kaluar, dy javë pasi ishte ndaluar për herë të parë nga marina izraelite.

Ajo u nis nga porti turk i Marmaris-it, me pjesëmarrjen e aktivistëve nga 40 vende në më shumë se 50 anije.

Aktivistët pro-palestinezë synonin të thyenin bllokadën detare të vendosur nga Izraeli ndaj Gazës dhe të dërgonin ndihma humanitare në rajonin e konfliktit.

Më 30 prill, marina izraelite ndaloi mbi 20 anije të së njëjtës flotilje në ujërat ndërkombëtare pranë Kretës, dhe arrestoi 175 persona.

Shumica u pritën nga Greqia dhe u riatdhesuan, ndërsa dy aktivistë u dërguan në Izrael dhe më pas u deportuan.

Ndërhyrja ka shkaktuar debat edhe në Bashkimin Evropian, pasi disa vende anëtare, përfshirë Gjermaninë, kanë shprehur dyshime nëse ndalimi i anijeve në ujërat ndërkombëtare është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Izraeli këmbëngul se veprimi është i ligjshëm dhe pretendon se disa aktivistë kanë lidhje me Hamasin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›