MPB: Vështirësitë fillestare me Regjistrin e ri po tejkalohen

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës njofton qytetarët se pas implementimit dhe futjes në funksion të Regjistrit Qendror të Gjendjes Civile, mund të ketë vonesa gjatë kryerjes së shërbimeve për herë të parë tek Zyrat e Gjendjes Civile nëpër komuna, mirëpo kërkojmë mirëkuptim pasi është proces i nevojshëm dhe shumë i domosdoshëm për verifikimin e të gjitha të dhënave të qytetarëve, më qëllim të krijimit të një regjistri sa më të saktë të të dhënave.
Pas verifikimit, që bëhet vetëm një herë, qytetarët do të kenë mundësi të marrin certifikatat në të gjitha komunat e vendit, pavarësisht se ku janë të regjistruar. Realizimi i këtij projekti dhe verifikimi i të gjitha të dhënave për qytetarët, përveç që është i rëndësishëm për vendin, është edhe njëri ndër kriteret e nevojshme në procesin e liberalizimit të vizave, andaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve gjatë kësaj faze.
MPB, para se të lansohet regjistri qendror i gjendjes civile, ka trajnuar për një muaj rreth 480 zyrtarë komunalë të gjendjes civile për tu adaptuar me këtë sistem. Megjithatë, pavarësisht vështirësive në ditën e parë, në dy ditët e fundit ka përmirësime. Për tre ditë në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë lëshuar rreth 4 800 ekstrakte të lindjes./Indeksonline/