MPB-ja shtyn aplikimin e shqipes në lejet e qarkullimit

Anulohet zbatimi i dhënies së librezave të veturave në dy gjuhë, e cila duhej të fillonte nga 1 janari. “Arsyet janë teknike”, ka thënë shkurt ministrja e Brendshme maqedonase, Gordana Jankullovska. Me këtë veprim, MPB-ja shkel Ligjin për vetura dhe rregulloren e re në të cilën u përfshi edhe dygjuhësia në librezat e veturave. Ky dikaster pati premtuar se do të bënte të gjitha përgatitjet e nevojshme që zbatimi të fillonte më 1 janar 2013, ndërsa tani thotë se kjo gjë do të ndodh së shpejti, pa dhënë afat konkret, raporton Alsat-M.
“Po, ishte e paralajmëruar, megjithatë për shkak të problemeve teknike, më konkretisht për shkak të procedurës për furnizim publik, i cili mendoj se do të përfundojë shumë shpejt, për momentin akoma nuk është filluar implementimi. Megjithatë, është gjetur partneri i cili duhet ta implementojë librezën e re të veturave, kështu që unë pres që në një periudhë shumë të shkurt të fillojë edhe dhënia e librezave të veturave. Ajo do të jetë në bazë të formularëve të rinj dhe me kërkesë të qytetarëve. Ata do të vendosin çfarë libreze dëshirojnë të kenë. Me rëndësi është që kemi gjetur partnerin, kështu që në periudhën që vjen besoj se shumë shpejt do të fillojnë implementimi”, deklaroi Jankullovska.
Sensibilizimi prej një kohe të gjatë i televizionit Alsat-M vuri në lëvizje këtë çështje që përfundimisht Ministria e Brendshme dhe ajo e Ekonomisë të kuptonin nevojën për harmonizimin e rregullores që librezat e qarkullimit të jepen edhe në gjuhën shqipe. Ligji për automjete u mundëson qytetarëve që librezat e veturave t’i marrin në dy gjuhë. /Indeksonline/