OKB: Në Siri – më se 60 mijë të vrarë

Në një analizë të re të Zyrës për të drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara thuhet se më se 60 mijë njerëz janë vrarë në konfliktin në Siri.
Komisarja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay tha sot se në të dhënat e specialistëve të OKB-së janë regjistruar më se 59 mijë vrasje në periudhën 15 mars 2011 e deri më 30 nëntor të vitit 2012.
Pillay tha se duke pasur parasysh se dhuna nuk është ndalur, “mund të vlerësojmë se më se 60 mijë njerëz janë vrarë deri në fillim të vitit 2013”.
Kombet e Bashkuara thonë se analiza ishte përgatitur pesë muaj, pasi ishin identifikuar viktimat, duke u bazuar në emrin dhe mbiemrin, në një listë të kombinuar, në të cilën raportohej për 148 mijë vrasje, raporton rel.
Shifra e Kombeve të Bashkuara është për afro një të tretën më e lartë se ajo e grupeve opozitare në Siri, të cilat angazhohen për përmbysjen e regjimit të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad.
Sipas grupeve opozitare siriane, deri tash në konflikt janë vrarë 45 mijë vetë. /Indeksonline/