E Shtunë, 31 Tetor 2026

Princ Leka: Shqiptaret të angazhohen për bashkimin kombëtar

Kufiri i vitit 1913 duhet rivlerësuar në kohën e duhur dhe në rrugë paqësore. Kjo është deklarata e Princit Leka i II-të në urimin për vitin 2013. Leka shprehet se nga ana tjetër shqiptarët nuk duhet të presin por të angazhohen për bashkimin kombëtar.

“Na mbetet ende një rrugë e gjatë derisa të realizojmë aspiratat e rilindësve dhe patriotëve tanë drejt bashkimit kombëtar. Kudo në trojet etnike faktori shqiptar është bërë më i rëndësishëm, madje po bëhet më vendimtar dhe po gëzon mbështetjen e aleatëve tanë të natyrshëm. Duhet të dimë t’i kalojmë divergjencat politike apo krahinore si edhe interesat e ngushta, për t’i dhënë përparësi projekteve afatgjata të popullit dhe kombit”, shprehet Leka, transmeton Shekulli.

“Jo gjithmonë historia ka qenë në favorin tonë. Vendosja e kufijve në vitin 1913 duhet të rivlerësohet në kohën e duhur dhe nëpërmjet një rruge paqësore. Kjo nuk nënkupton qëndrimin pasiv të popullit shqiptar, përkundrazi. Duke rritur nivelin politiko-ekonomik, shoqëror e demokratik kudo që ndodhen shqiptarët, hyrja në Evropë do të na gjejë një komb më të begatshëm, më të fuqishëm, më dinjitoz, më të përgatitur e më të besueshëm për realizimin e kësaj ëndrre të madhe”, shton ai.

Nipi i mbretit Zog i I flet edhe për rolin e familjes mbretërore në këtë proces duke thënë se ka “rol të pazëvendësueshëm si simbol i unitetit kombëtar”. “Ne do të mbështesim çdo iniciativë në këtë drejtim dhe çdo nismë në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve kudo që ata ndodhen, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri, Luginën e Preshevës dhe trojet e tjera etnike”, shprehet Princ Leka. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›