E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPJ: Dialogu Kosovë-Serbi, kontribut për paqen në rajon

Ministria e Jashtme shqiptare ka përshëndetur nisjen e bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel.

Në një deklaratë për shtyp MPJ-ja vlerëson se dialogu i drejtpërdrejtë mes dy shteteve fqinje e sovrane është i domosdoshëm për zgjidhjet e problemeve, që jo vetëm do të përmirësojnë jetën e qytetarëve të këtyre vendeve, por njëkohësisht do të kontribuojë për paqe e stabilitet në rajonin tonë dhe të ardhmen e tij evropiane.

Gjithashtu ministria e jashtme thekson se mbështet angazhimin e përbashkët të BE-së dhe SHBA-së në këto bisedime.

“Ritheksojmë se Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm i njohur nga 75 shtete, që i ka kontribuar paqes dhe stabilitetit në rajon. Rezoluta konsensuale e AP të OKB-së, që mirëpriti mendimin këshillimor të GJND për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, mbylli përfundimisht çështjen e statusit dhe integritetit të saj territorial dhe çdo përpjekje për rihapjen e saj nuk i kontribuon këtij dialogu” thekson deklarata.

Gjithashtu ministria e jashtme vlerëson se ky dialog i nisur në Bruksel do të kontribuojë në mënyrë konstruktive për pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha nismat e forumet rajonale e më gjerë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›