MPJ e konsideron arritje të vlerave artistike, koncertin për fillimin e vitit të ri diplomatik

Tiranë, 21 janar 19:02 NOA - Nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha, Ministria e Jashtme organizoi mbrëmë një koncert përurues për fillimin e vitit të ri diplomatik dhe hapjen e sezonit artistik për Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm titullarë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, anëtarë të qeverisë, deputetë si dhe një numër i madh personalitetesh të fushave të ndryshme të vendit.
Në fjalën e hapjes Kryeministri vuri në dukje se kjo veprimtari zhvillohet menjëherë pas ceremonisë për fillimin e detyrës së Presidentit të SHBA z. Barak Obama.
Berisha përshëndeti Presidentin Obama, këtë figurë që shënon një ndryshim simbolik dhe epokal të SHBA-ve, aleates më të çmuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Më tej Kryeministri Berisha tha se ceremonia e organizuar me këtë rast në Capitol Hill përbën simfoninë më madhështore njerëzore, me ndikim në çështjet e mëdha të SHBA dhe globit, një veprimtari që do të mbahet mend gjatë dhe që shënon erën e ndryshimit dhe prosperitetit, epokën e vijimësisë së ëndrrës së madhe amerikane.
Kryeministri tha se ka një simbolikë të veçantë që viti i ri koncertor hapet në të njëjtën ditë dhe bashkërisht me vitin e ri diplomatik, si veprimtari të suksesshme në shërbim të vendit.
Berisha vlerësoi dhe punën e diplomacisë dhe i uroi Ministrisë së Punëve të Jashtme suksese të mëtejshme në angazhimet madhore të vitit 2009, anëtarësimin e plotë të vendit në NATO dhe avancimin e procesit të integrimit në BE.
Në takim Kryeministri përgëzoi z. Zhani Ciko dhe muzikantët e talentuar të orkestrës “Virtuozët e Tiranës” të drejtuar prej tij, të cilët japin kontribute të rëndësishme artistike në orkestrat e njohura të kryeqyteteve të Evropës dhe botës, të cilët ai i quajti ambasadorët më të mirë dhe të përhershëm të Shqipërisë në botë.
Më pas nën drejtimin e mjeshtrit të madh Ciko orkestra “Virtuozët e Tiranës” luajti pjesë nga autorë të njohur nga bota dhe vendi.
Veprimtaritë që shënuan hapjen e vitit të ri diplomatik u mbyllën me një pritje të dhënë nga Ministri i Jashtëm Basha në të cilën morën pjesë titullarë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, anëtarë të qeverisë, deputetë, personalitete të ndryshme të jetës së vendit etj.
e.l/NOA