E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSH: "Shqipëria pa duhan" nisma më e fundit për zbatimin e ligjit

"Shqipëria pa duhan", është nisma e fundit e Ministrisë së Shëndetësisë, në zbatim të ligjit "Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit", miratuar në maj 2007.
Kryeinspektori Gazmend Bejtja bëri të ditur të mërkurën se Inspektoriati Sanitar Shtetëror ka ndërmarrë një aksion në rang kombëtar për zbatimin pa kompromis të ligjit antiduhan, i cili do të shtrihet në të gjithë rrethet e vendit. "Ministria e Shëndetësisë kërkon nga të gjithë institucionet të marrin pjesë në zbatimin e ligjit kundër duhanit", tha Bejtja gjatë një konference për shtyp.
Kryeinspektori Bejtja informoi se në të gjithë vendin inspektohen rreth 1000 subjekte në ditë nga inspektorët sanitarë. Vetëm në Tiranë kontrollohen rreth 150-160 subjekte në ditë.
Mbi 150 inspektorë sanitarë punojnë në terren në të gjithë rrethet e vendit. Objekt i inspektimeve janë institucione të qeverisjes vendore dhe qendrore, arsimore, shëndetësore, etj. Në rast shkeljesh të ligjit kundër duhanit, inspektorët sanitarë lënë process-verbalet me detyra përkatëse, si dhe marrim masa administrative me gjobë në vlerën 50 mijë lekë për çdo shkelje.
Ditën e martë, inspektorët sanitarë, të mbështetur dhe nga Instituti i Shëndetit Publik nisën verifikimin e zbatueshmërisë së këtij ligji në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, si dhe lokalet që ushtrojnë aktivitetin pranë saj. Gjatë kontrolleve, inspektorët sanitarë kanë zbatuar masat paralajmeruese për shume subjekte deri në gjoba financiare, ndër të cilët dhe Pavioni i Konsultave Kirurgjikale në QSUT, ku mungonin shenjat dalluese që ndalojnë konsumin e duhanit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›