Gashi e Krasniqi i “tregojnë muskujt”

Deputeti i PDK-së, Halit Krasniqi dhe ai i LDK-së Arben Gashit gjatë tërë mbledhjes së Komisionit për Legjislacion kanë pasur debat të ashpër mes veti deri në kërcënime se kush ku e ka vendin.
Gjakrat janë nxehë në kohën kur Arben Gashi, kryetar i këtij komisioni është shprehur kundër Projektligjit për ndryshim dhe plotësim të Buxhetit të Kosovës pasi që sipas tij si të tillë e kundërshton edhe subjekti që ai përfaqëson.
Derisa Halit Krasniqi, anëtarë i këtij komisioni është shprehur në drejtim të Gashit se është këtu për të shprehur mendim profesional e jo politik. Ndërsa Gashi ka kërkuar nga ai që të tregohet më me edukatë dhe të mos i ndërhyjë në mendimet e tij.
“A po mësohesh, edukohu se e di se je i pa edukatë në këtë fushë, mësohu që të respektosh mendimin e tjetrit”, ka thënë Gashi, shkruan Zëri.
“Bëhu korrekt, udhëhiqe mbledhjen me përgjegjësi, përmbaju rendit të ditës”, ia ka kthyer Krasniqi. “Kqyri punët tua ti, jepe mendimin tënd, kjo është punë e imja”, ka thënë më tutje Gashi.
“Nuk kemi ardhur për punë tona këtu, ne përfaqësojmë subjektet kemi adresa dhe interesa të kundërta por ti je në mesin e të barabartëve këtu, i pari për ta udhëheqë mbledhjen, nuk je me dhënë vlerësime për pjekurinë dhe edukatën tonë”, ia ka kthyer Krasniqi. Deputeti i PDK-së Halit Krasniqi ka shkuar aq larg me ofendime sa që i ka rekomanduar Gashit që të bëjë një vizitë mjekësore.
“Kur nuk je mirë ditëve tjera vizitohu tek mjeku, të presim në çoftëse vonohesh atje dhe pastaj e merr terapinë dhe eja në mbledhje”, është shprehur Krasniqi. “Halit çmenduria dhe idiotizmi yt nuk ka të ndalur, po të them problemet tuaja emocionale dhe personale trajtoj vetë, jemi në mbledhje”, ka thënë Gashi tek sa e ka mbyllur mbledhjen.
Zënka e tyre ka vazhduar edhe në hollin e Kuvendit të Kosovës tek sa janë shprehur edhe banalisht në drejtim të njëri tjetrit. Më pas Krasniqi e paralajmëroj Gashin se mund edhe të mos jetë më kryetar i këtij komisioni. “Unë mund të ndërhy, madje edhe për të mos qenë ti më kryetarë i këtij komisioni”, ka thënë në fund Krasniqi.
Ndryshe në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion është proceduar për në Kuvend Shqyrtimi i Projektligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale dhe Shqyrtimi i Projektligjit për Planifikim hapësinorë. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe deputetja tashmë e pavarur, Alma Lama e cila propozoi për tu proceduar në seancë Shqyrtimi i Projektligjit për mbrojtjen e burimeve të gazetarit.
Edhe pse shumica e anëtarëve të komisionit u shprehen se një gjë e tillë është e rregulluar me Kodin Penal ata e mbështetën propozimin e Lamës që kjo çështje të rregullohet me ligj të veçantë.
Ky projektligj është proceduar nga Komisioni për në Kuvend i vetmi që ka qenë kundër është kryetari i këtij komisioni, Arben Gashi pasi që sipas tij duhet kohë për sqarim sepse janë disa nene që mund të japin komplikime në disa ligje tjera./indeksonline/