MUZIKË – Harry Styles thyen rekordin e tij të shitjeve me albumin e ri

LONDËR, 15 mars /ATSH/ – Këngëtari britanik Harry Styles ka arritur edhe një herë majën e klasifikimeve muzikore në Britaninë e Madhe, pasi albumi i tij më i ri “Kiss All The Time. Disco Occasionally”, debutoi në vendin e parë të tabelës së albumeve në Britaninë e Madhe, sipas BBC.
Sipas “Official Charts Company”, albumi është shitur me më shumë se 183 mijë kopje gjatë javës së parë pas publikimit të premten e kaluar.
Kjo shifër tejkalon qartë suksesin e albumit të tij të mëparshëm “Harry’s House”, i cili kishte arritur të shitej në rreth 13 mijë kopje në javën e parë në vitin 2022.
Megjithatë, albumi ka marrë vlerësime të ndryshme nga kritika, me disa media që e kanë cilësuar si një projekt të këndshëm, por jo shumë të fuqishëm në aspektin emocional.
Styles ka shpjeguar se albumi u frymëzua nga përpjekja e tij për t’u rikthyer në jetën normale pas turneut të gjatë “Love On Tour”, i cili zgjati 22 muaj.
Ai tha se gjatë kësaj periudhe vendosi t’i thoshte “po” shumë eksperiencave të reja, duke kaluar më shumë kohë mes njerëzve dhe duke shijuar ndjenjën e të qenit pjesë e një turme.
Albumi u promovua me një koncert të veçantë në Manchester, ku këngëtari interpretoi të gjithë materialin përpara rreth 20 mijë fansave. Koncerti u filmua dhe u publikua si një program special në Netflix.
Suksesi i Styles vazhdon edhe në klasifikimin e këngëve, ku “American Girls” ka arritur vendin e parë, ndërsa dy këngë të tjera nga albumi i ri janë futur në pesëshen e parë. /Ad.Ab./