Ma thuaj një fjalë të mirë
Ekspo-performanca u realizua në galerinë ‘Open Art’ në Prishtinë, gjatë të cilës artistët ofronin kafe për pjesëmarrësit, duke qenë në banak dhe duke shërbyer vetë si kamerierë. Ata në të njëjtën kohë shërbenin kafe dhe veprat e tyre.
‘Varg e vi’ me këtë ekspo-performancë tregoi se synon që të ketë integrim të disa arteve pamore me poezinë, por edhe brenda grupit të ketë mundësi të shfaqjes së individualitetit krijues të secilit anëtar.
“Ne si grup i përbërë nga artistë të profileve të ndryshme artistike dëshirojmë që të nxisim kreativitet kulturor, bashkëpunim ndërmjet krijuesve, integrim të disa arteve (arte vizuele, poezi, muzikë dhe aktrim) dhe për të shprehur artin në forma jokonvencionale dhe bashkëkohore. Koncepti kryesor i “Ma thuaj një fjalë të mirë” ka ardhur nga titulli i njëjtë i poezisë së poetit bashkëkohor Xhevat Latifit. Ne dëshiruam të themi se poezia mund të bëhet inspirim edhe për krijuesit e arteve pamore dhe disa poezi mund të bëhen antologji edhe përmes këtyre arteve”, tha udhëheqësi i grupit të artistëve ‘Varg e vi’, Jeton Muja.
Muja duke shpjeguar më gjerësisht konceptin e ekspo-performancës së ‘Varg e vi’-së, tha se ‘Ma thuaj një fjalë të mirë’ vjen edhe si nevojë e shprehjes së energjisë optimiste dhe pozitive ndërmjet njerëzve, sepse kur i thua dikujt ‘Ma thuaj një fjalë të mirë’, në njëfarë kuptimi i thua: “Po e di që është keq apo shumë keq, madje s’keni pse ma thoni këtë, mirëpo sonte po dua ta dëgjoj ndonjë fjalë të mirë”.
Në realizimet e grupit ‘Varg e vi’ me krijimet e tyre kanë marrë pjesë edhe poetë. “Poezia e shndërruar në vepër artistike, e shkruar në mure si grafite apo e përcjellë përmes një gote kafeje sikur që ndodhi në ‘Open Art’, mund të jetë një ndër rrugët e tjera të ringjalljes së poezisë dhe leximit të saj”, u shpreh poeti Xhevat Latifi, anëtar i këtij grupi gjilanas.
Ndërsa veprat të cilat u paraqitën në këtë ekspo-performancë janë: “Bajraktari” i Artan Hajrullahut, “Lart-poshtë/poshtë-lartë” i Bekim Korçës, “Peizazh molekular” i Kushtrim Zeqirit, “Motrat e shëmtuara” të Jeton Mujës, “4” i Din Azizit, poezia “Pikë në qershi” e Xhevat Latifit, poezia “S’e kisha dhanën veshkën me ble iPhone” të Avni Rudakut dhe “Elementi i pestë” i muzikantit Besim Baftiu.
Ideja në përgjithësi e realizimit përmes kafes ka derivuar nga Din Azizi dhe e veçanta e këtij evenimenti ishte se vrojtuesit e pranishëm mund të zgjidhnin veprën dhe të pinin kafen në atë gotë që përmbante atë punim të dëshiruar nga recipienti, por edhe ta merrnin veprën të paketuar për në shtëpi. Ekspo-performanca zgjati tri orë. Projekti u financua nga “ProComputers” i Gjilanit.