Maas: Beogradi e keqkupton Rezolutën 1244

Ambasadori gjerman në Serbi, Wolfram Maas, ka mohuar se Berlini i ka kërkuar Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës, si kusht për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
"Njohjen e Kosovës as që e kemi pritur, e as që e kemi kërkuar nga Beogradi zyrtar. Nga Serbia pritet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Pra, nuk bëhet fjalë për asnjë kërkesë të re që i shtrohet Beogradit, por në insistimin që marrëveshjet e arritura të zbatohen në vepra”, ka thënë Maas për ditoren e Novi Sadit, Dnevnik.
Ambasadori gjerman, si shembull të normalizimit të marrëdhënieve pa njohjen e ndërsjelltë të pavarësisë, përmendi Gjermaninë Perëndimore dhe Gjermaninë Lindore të cilat kanë gjetur një mënyrë për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të jetuar pranë njëri-tjetrit dhe me njëri-tjetrin.
Sipas tij, vendimin të cilin e mori Këshilli Europian më 9 dhjetor, duhet të shihet si një mundësi që Beogradit i ofrohet për të filluar zbatimin e marrëveshjeve të arritur në dialogun me Prishtinën.
Maas ka thënë se Beogradi shumë me qejf thirret në Rezolutën 1244 të OKB-së, por se harron se pikërisht ajo Rezolutë tregon se Kosova nuk udhëheqet nga Beogradi.