Macron: Perëndimi të rrisë presionin ndaj Rusisë për të arritur armëpushimin me Ukrainën

Presidenti i Francës ka bërë të ditur planet e aleatëve perëndimorë për të rritur presionin ndaj Rusisë në tetë deri në 10 ditët e ardhshme për të siguruar një armëpushim me Ukrainën.
“Në tetë deri në dhjetë ditët e ardhshme, ne do të rrisim presionin”, theksoi Emmanuel Macron gjatë një interviste me revistën “Paris Match”, pa specifikuar detajet e mëtejshme.
Macron vuri në dukje se ai do të mbetej “i kujdesshëm ” në lidhje me armëpushimin, pasi “pjesë e ekuacionit varet nga Moska. ”
“Nuk ishte e drejtë që presioni po zbatohej vetëm për Ukrainën” theksoi edhe ai.
Macron më tej tha se ai është i bindur se amerikanët mund të përshkallëzojnë kërcënimet dhe sanksionet kundër Rusisë.
“Ne vazhdimisht kemi kërkuar të krijojmë kushtet për presidentin Zelensky për të pranuar propozimin për një armëpushim të pakushtëzuar — të cilin ai e bëri, rastësisht, në Jeddah. Ne gjithashtu kemi punuar që Shtetet e Bashkuara të marrin një armëpushim nga Rusia. Varet nga të gjithë ne që të ndërtojmë kushtet për një paqe të fortë dhe të qëndrueshme”, shtoi ai.
Ky qëndrim i presidentit francez erdhi pas diskutimeve të zhvilluara midis kreut të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, presidentit të Ukrainës Zelensky, kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer dhe vetë Macronit pas funeralit të Papës Françeskut gjatë fundjavës.
/rtsh.al/