"Madcon" dhe DJ Wolf, në Durrës
Dy emra të njohur të muzikës elektronike evropiane luajnë këtë fundjave në bregdetin e Durrësit. Të shtunën në mbrëmje, në kompleksin "Tropikal" në Durrës, interpreton grupi norvegjez "Madcon", Tshawe Baqwa dheYosef Wolde-Mariam. Në fakt, në këtë datë, prej javësh njoftohej koncerti i artistit Goran Bregoviç, i cili u anulua në momentin e fundit, për shkak të gjendjes shëndetësore jo të mirë të artistit.
Zgjidhja e emergjencës për organizatorët ishte dyshja norvegjeze "Madcon", të cilët janë shfaqur në skenën muzikore dekadën e fundit. Muzika që ata prezantojnë është një përzieje e folkut, soulit, hip-hopit, dhe reges. Për publikun shqiptar, "Madcon" bëhen të njohur me hitin, "Lyar", nëntë vjet pas debutimit të tyre të parë në Norvegji me "God Forgive Me"(2000).
Ndërsa mbrëmja e së dielës i ofron publikut një tjetër muzikë, atë të DJ. Laurent Wolf. Prej më shumë se një dekade, Wolf është një nga figurat më të njohura të muzikës elektronike në botë.
Fillimisht si DJ në "Queen", një nga klubet e natës më të njohura në Paris e tashmë edhe si producent më një shtëpi diskografike të tijën, "Triba-house", emri i Wolf në botën e muzikës do të shqiptohej më shpesh pas verës së vitit 2003, kur hiti i tij "Saxo" pushtoi diskotekat e të gjithë botës.
Por kulmin e karrierës e arrin në vitin 2008, kur në "World Music Awards" vlerësohet si DJ më i mirë i vitit.
-----------------------------------------------------
Muzikë nga Kosova
Në ditën e tretë, "Festivali i Muzikës Klasike", që po zhvillohet në Durrës, propozon muzikë të kompozitorëve nga Kosova. Mbrëmja e sotme titullohet "Nata e muzikës Kosovare", pasi programi përmban vetëm pjesë të kompozitorëve nga Kosova. Është hera e parë që në historinë e tij katërvjeçare ky festival u kushton një hapësirë të tillë kompozitorëve nga Kosova.
Programin që luhet në orën 20:00 në Pallatin e Kulturës, përmban pjesë nga kompozitorët Rafet Rudi, "Fantazia në Si"; Mendi Mengjiqi "Vizion"; Donika Rudi, "Kabatronik"; Esat Rizvanolli "Këngë dhe valle", si dhe Akile Koçi "Arbëreshe". Kjo e fundit luhet premierë në festivalin "Netët e Muzikës Klasike".
Artistë që interpretojnë janë Misbah Kacamaku, (piano) Florian Vlashi (violinë) dhe Rediana Lukaci (violonçel). Dy mbrëmjet e fundit të festivalit i dedikohen muzikës moderne dhe yjeve të rinj të muzikës. Të premten në mbrëmje, në skenën e teatrit "Aleksandër Moisiu", formacioni instrumental "Shekulli XX" interpreton një version të veprës "Histoire du soldat" të kompozitorit rus Igor Stravinsky (1882-1971).
Pjesa do të shoqërohet me vargje të interpretuara nga aktorja Ema Andrea. Ndërsa nata finale është për nxënësit e shkollës së mesme artistike "Jan Kukuzeli", të cilët do të përballen me njëri-tjetrin për çmimin "Solisti i ri" në festivalin "Netët e muzikës klasike".