E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet në Golem "Mercedezi" i politikanit kosovar

Persona të panjohur kanë kanë mundur të marrin në parking mjetin e anëtarit të kryesisë së LDK-së


Haziz Hodaj, anëtar i Kuvendit të Prizrenit, denoncoi vjedhjen e ndodhur në mëngjesin e djeshëm


KAVAJE- Vjedhjet ndaj plazhistëve në bregdetin e vendit nuk kanë kursyer shumë prej turistëve kosovarë që kanë zgjedhur bregdetin e vendit tonë për të pushuar.


Pre e vjedhjes ka rënë edhe Haziz Hodaj, anëtar i Kuvendit Komunal të Prizrenit si dhe anëtar i kryesisë së LDK-së për këtë Komunë. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën "Shekulli", nga burime të policisë së Kavajës, ndërsa është pohuar edhe nga vetë i dëmtuari, Haziz Hodaj, rreth 53 vjeç.


Ngjarja mendohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm kur sapo kishte kaluar mesnata dhe pushuesi nga Prizreni dhe familja e tij kishin rënë të flinin në apartamentin e tyre të marrë me qera para rreth gjashtë ditësh në zonën e Malit të Robit.


Ndërkaq, persona ende të panjohuar kanë mbërritur në parkingun ku pushonte Hodaj dhe kanë mundur të hapin automjetin me targa 339 KS 174, ngjyrë gri metalike, në pronësi të të zgjedhurit lokal të Prizrenit duke u larguar me shpejtësi në drejtim të qytetit të Durrësit. Një veprim i tillë duiket se është kryer sipas burimeve, në kohën që policia ka qenë e angazhuar në mbylljen e lokaleve me muzikë në plazh.


Burime të policisë së Kavajës, pohuan dje për "Shekullin", se mesnatën e të martës duke u gdhirë dita e djeshme është raportuar se një mjet me targa të Kosovës i markës "Mercedez- Benz", është raportuar duke ecur me shpejtësi sapo kishte dalë nga zona e plazhit të Durrësit. Menjëherë më pas efektivët e policisë kanë dhënë mjetin në kërkim shërbimeve të ndryshme të policisë në rrethet fqinje, me dyshimin se ai është i vjedhur.


Dhe nuk ka vonuar në fakt mëngjesin e djeshëm rreth orës 05:30, Hodaj ka zbritur për të bërë një vrap në plazh buzë detit, ndërsa ka vënë re se vendi ku kishte lënë autoveturën një natë më parë ishte bosh dhe mjeti nuk ndodhej.


Pasi ka kontrolluar rreth pallatit menjëherë ka njoftuar policinë, për të njoftuar vjedhjen që kishte ndodhur. Pas njoftimit të dhënë, një oficer i komisariatit të Kavajës, ka kontaktuar me Hodajn, për të marrë ndaj tij kallëzimin dhe të dhëna rreth ngjarjes."Erdha këtu dhe kisha menduar se fenomene të tilla ishin zhdukur tashmë.


Më vjen për sa ndodhi, por unë do të vazhdoj pushimet siç e kisha parashikuar por jo me kënaqësinë me të cilën po i shijoja përpara se të ndodhte ngjarja. Kjo më zhgënjeu në një farë mënyre",- ka pohuar Hodaj dje për gazetën "Shekulli".


Më tej shtoi: Tashmë më duhet të nisem me autobuz në drejtim të Kosovës kur të mbaroj pushimet këtu për t'iu rikthyer jetës normale. Në lidhje me ngjarjen burime të policisë së Kavajës, pohuan se kanë kryer disa verifikime si dhe shoqërime personash, por që më pas janë lënë të lirë për shkak se nuk janë gjetur të implikuar.


Vjedhjet, alarm në bregdet


Vetëm përgjatë datës 2 korrik në policinë e Durrësit dhe të Kavajës, kanë mbërritur denoncime të ndryshme për vjedhje të ndryshme. Një burrë nga Lushnja ka denoncuar vjedhjen e banesës së tij ku janë marrë 1000 euro dhe 35 000 lekë.


Po kështu një tjetër kryefamiljar ka denoncuar vjedhjen e 300 000 lekëve në shtëpinë e vet. Në orët e para të mëngjesit të së dielës është konstatuar vjedhja e një fuoristrade tip "Benz" me targa të Bulqizës, si dhe një avokat ka denoncuar tentativën për vjedhje të automjetit të vet.


Hajdutët kishin dështuar në përpjekjen për të vjedhur automjetin, por për të mos dalë "duarbosh" kishin marrë një çantë të punës me dokumente të ndryshme që ndodhej në makinë.


Ndërkohë policia ka vënë në pranga disa persona gjatë javës së fundit të përfshirë në krimin e vjedhjes në zonën e plazhit. Mes tyre një person që katër ditë më parë i kishte vjedhur një pushuesi kosovar 500 euro.

Tenton vetëvarjen i arrestuari për vjedhje makinash

KAVAJË- I arrestuari i dy ditëve më parë, për vjedhje të automjeteve në flagrancë, tenton vetëvarjen me pretendimin se nuk ishte ai autori i krimit, policia e shpëton nga vdekja.


Albert Bajrami, 31 vjeç, banues në Tiranë, i arrestuar nga policia e Kavajës me akuzën e vjedhjes së automjeteve në Flagrancë, ka tentuar tentuar të vetëvaret në dhomën e izolimit në Komisariatin e Policisë së Kavajës, me pretendimin se ishte i pafajshëm.
Ngjarja ndodhi të martën rreth orës 23:25 minuta, kur Bajrami, ka tentuar t'i japë fund jetës, duke përdorur këmishën e tij.


Ndërhyrja e shpejtë e policëve të shërbimit të komisariatit ka bërë që të shmanget vetëvrasja e 31 vjeçarit, ndërsa ai është dërguar me urgjencë në spital. Sipas burimeve zyrtare të policisë, Bajrami kishte grisur këmishën e tij dhe e kishte bërë në formë litari, me qëllim vetëvarjen, ndërsa e ka lidhur në dritaren e qelisë ku qëndronte i izoluar prej tri ditësh.


Për fatin e tij, policët e shërbimit e kanë kuptuar shpejt veprimin e tij dhe kanë ndërhyrë menjëherë duke e ngritur peshë dhe më pas duke hequr lakun që ishte formuar nga këmisha e tij. Pasi i është dhënë ndihma e parë në komisariatin e Policisë së Kavajës, ai është nisur në drejtim të spitalit të qytetit ku edhe i është nënshtruar një ndihme të specializuar mjekësore të personelit.


Pas disa orë qëndrimi në këtë spital ai është nisur nga efektivët e komisariatit të Policisë së Kavjës në drejtim të një prej insitucioneve të paraburgimit në vend, duke shmangur në një mënyrë të tillë ndonjë tentativë vetëvrasjeje të tij. 31- vjeçari nga Tirana, pritet të dalë sot përpara gjykatës së Kavajës që do t'i vlerësojë masën e arrestit me akuzën e vjedhjes në flagrancë në bashkëpunim të automjeteve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›