Maddamma e bën Henrin VI të vallëzojë

Maddamma duke u demonstruar lëvizje skenike aktorëve të Teatrit Kombëtar. Foto: Franc Zhurda
Elsa Demo
Skena e zbrazur si tashti imagjinohet si Kopshti i Glosesterit. Është skena IV nga akti I i tragjedisë së Shekspirit Henri VI. Mbretërimi i Henrit VI ka hyrë në kaos me humbjen e territoreve franceze dhe familjet fisnike po i hanë kokat njëra-tjetrës. Është pjesa e dytë e trilogjisë mbi fatin e mbretit Henri VI të Anglisë që duan ta rrëzojnë nga froni.
Magjistarët në këtë natë të errët presin një shpirt të ngrihet nga varri që ti dëgjojnë parashikimin. Mariana Kondi hyn me trupin drejt dhe duart si kthetra që i kalon me lëvizje rrethore sikur nakatos diçka në ajër. Aktorja në rolin e Margaretës po ndiqet nga koreografja e ulur në radhët e para të platesë. Giorgia Maddamma është në ditën katërt të punës me trupën prej 23 aktorësh të Teatrit Kombëtar. Në këtë moment aktorët kanë të bëjnë me të. Regjisori Adonis Filipi është tërhequr në njërin cep të sallës. Giorgia dirigjon me një shenjë aktoren Marsela Lena që nga fundi i skenës duhet kryejë me art ngritjen e shpirtit nga toka për tiu përgjigjur pyetjeve të Bolingbrokut. Ky është aktori Mehdi Malka që duhet të vijë rrotull skenës me një partnere dhe të mësojë me ankth Çdo bëhet me mbretin? Shpirti përgjigjet: Duka që mbretin Henri do të rrëzojë, jetë akoma do të ketë/Do rrojë më gjatë, por do vdesë me dhunë Po çfat e pret Dukën e Safolkut? Shpirti: Në ujë vdekjen do gjejë dhe kështu fundin e vet. Çdo ti ndodhë Dukës së Somersetit? Shpirti: Kështjellave tiu ruhet/ Më i sigurt në toka ranore do të jetë/Se sa atje ku kështjellat mbi themele të forta qëndrojnë./ Mbarova, për më tepër, nuk mund të duroj.
Bolingbroku nuk do ta besojë dhe e urdhëron shpirtin: Zhytu në errësirë, drejt gjolit në flakë! Qoftëlarg i pabesë, mënjanohu! Aktori lodhet shpejt. Sepse ndërsa thotë fjalët lëvizja e tij në rreth përshpejtohet, muzika ku më shumë dëgjohet tamburi shton tensionin, derisa efekte bubullimash dhe shkreptimash shënojnë fundin e ritualit të shtriganisë, lëvizjen skenike të të cilit duhet ta vërë në vend Giorgia. Ajo vjen nga Italia me një përvojë të pasur bashkëpunimesh me emrat të mëdhenj të baletit bashkëkohor e teatrit të dancit në botë si Pina Bausch. Instituti Italian i Kulturës e ka ftuar për të kontribuar në krijimin e Henrit VI, me të cilin Teatri Kombëtar përfaqësohet në Festivalin Globe to Globe në Globe Theatre të Shekspirit në maj 2012. Njëherë është premiera në Tiranë, rreth 27 prillit. Flasim me Giorgia Maddamma-ën.
Si ka ecur puna deri tani?
Prej të mërkurës kemi nisur të punojmë për lëvizjen skenike të skenave të ndryshme, për të sistemuar dhe përmirësuar disa lëvizje apo nisur nga logjika e hapësirës, për të fiksuar pozicionin dhe qëndrimin fizik që ka të bëjë me çdo personazh. Qëllimi është që të gjejmë një pikë të përbashkët midis asaj që duket dhe asaj që ndjehet në skenë, për të parë si ndihet aktori dhe si duket për atë që e shikon nga jashtë, koreografi apo regjisori.
Sot punuat mbi një ritual?
Është rituali që çon në zbritjen e këtij rrethi magjik, ndërkohë që shpirti ngrihet. Dhe këta dy priftërinj përgatisin ardhjen e shpirtit.
Çfarë është e rëndësishme për mënyrën e lëvizjes së aktorit?
Kjo skenë është për mua si një spirale që vjen nga poshtë, ngrihet në hapësirë përmes ritmit dhe dinamikës, por edhe përmes ritmit të fjalës. Gjithë kuptimi i tekstit të Shekspirit bartet tek ky predikim. Pra për mua është një spirale jashtë realitetit por me një projektim të së ardhmes. Është mjaft e vështirë për aktorët të punojnë me lëvizjen sepse nuk janë shumë të ambientuar.
Më e vështira nuk ka ardhur akoma?
Jo. Kemi kaluar të dielën një skenë të vështirë me ushtrinë, një skenë lufte për të cilën më është dashur të realizojmë një partiturë koreografike. Aktorët nuk e prisnin që të kërcenin në mënyrë të jashtëzakonshme. Mua më pëlqen të punoj me struktura koreografike.
Janë pak të rëndë aktorët për këtë?
Janë pak të rëndë. Para së gjithash aktori është një personazh tërheqës, shumë i përfshirë nga individualizmi i tij, nga fusha e tij e shprehjes. Ndërkohë ne që vijmë nga baleti, jemi mësuar me punën në kor. Mua më pëlqen të punoj me aktorët. Stimulohem prej tyre sepse kanë forcë të thellë interpretimi, e kur arrij ti vë në lëvizje atëherë kërcimi bëhet kuptimplotë. Në fillim është kaq e vështirë sepse vështrimet e tyre thonë po kjo çdo?. Duhet kuptuar se teksti i mirë dhe partitura e mirë koreografike janë dy gjëra që e pasurojnë strukturën teatrale.
Në çmënyrë do të jeni prezente në vrasjet e Henrit?
Nuk mund tjua them (qesh). Nuk do doja të flisja shumë sepse duhet të shoh njëherë si të do të ecim.
Diçka mbi kuptimin tuaj koreografik të dramatikës te kjo vepër e Shekspirit.
Është drama e qeverisjes së pushtetit, drama e qeverisjes psikologjike të dëshirës, dëshirës në ngërç për pushtet. Kjo është drama njerëzore që Shekspiri e prek gjithnjë mjeshtërisht. Kjo është për mua kuptimi i gjithë veprës, me nuancat dhe aspektet e ndryshme të një prej pasioneve njerëzore: etjes për pushtet. Ky është për mua Henri VI.
Përvoja të tjera me Shekspirin?
Ka qenë spektakli me regji të Nicola Scorza dhe aktorin e famshëm Luca Argentero ku kishte një potpuri skenash shekspiriane. Kam realizuar koreografinë dhe kam kërcyer. Kjo punë me Adonis Filipin është shumë interesante, është një mundësi që na jepet të gjithëve për të shkuar në Glob. Pastaj unë besoj që Adonisi ka një vizion integral për teatrin. Ai pëlqen të njëjtën gjë si unë, përfshirjen e gjuhëve skenike që i japin spektaklit një vizion të hapur e të gjerë që niset nga një traditë dhe mbërrin në një prag modern, bashkëkohor.
Çfarë mendoni për muzikën?
Pjesët muzikore janë me rëndësi për gjithë aksionet skenike dhe Adonisi ka zgjedhur pjesë të fuqishme, ritmike, shumë bashkëkohore, që krijojnë kontrast të bukur me fjalën dhe ndihmojnë për të krijuar atmosferë, për ti dhënë dinamikë lëvizjes.
Ju sapo vini nga një përvojë e ndryshme, një spektakël me muzikën e këngëve të Edit Piafit?
Dy javë përpara isha në Forli me një orkestër moderne. Ah, unë do doja të përfshija në spektaklin shqiptar shijen e valles tradicionale që jam duke e studiuar. Kam parë Vallen e shpatave, Vallen e peshkatarëve, vallet e grave që i kisha parë ndërkohë në Gjermani, gjatë punës me studentët në universitet. Janë valle me shumë dritë, të gëzueshme. Do doja të merrja elemente dhe ti përfshija aty ku është e mundur. Festivali i Shekspirit është ndërkombëtar dhe besoj se është e rëndësishme që secili të prezantojë një shenjë nga vendi i tij, nga kombi i tij. Sa për Piafin, është një spektakël i realizuar me mikeshën time Daniela Piccari. Do të bëjmë një tur.
Çfarë kujtoni nga Pina Bausch?
Krijesën e mrekullueshme, vërtet unike, kaq e afërt me njerëzit, kaq e ndjeshme ndaj problemeve dhe natyrës njerëzore, e njëherësh e largët, gati mbinjerëzore. Tani kam nderin të jap mësim në kompaninë e Pinës në Vupertal. Isha dy javë me ta dhe do të jemi sërish bashkë në turne në Londër muajin qershor. Vitin e ardhshëm do të jem për mësime atje rregullisht.
Çfarë spektaklesh do të veç