E Shtunë, 31 Tetor 2026

Madoff, dënohet me 150 vjet heqje lirie

Financieri mashtrues Bernard Madoff u dënua sot me 150 vjet heqje lirie nën akuzën për krijimin e skemës më të madhe piramidale në të gjithë historinë e "Wall Street". Pjesëmarrësit në seancën gjyqësore reaguan me duartrokitje kur kreu i gjykatës, Denny Chin dha dënimin maksimal për mashtruesin 71-vjeçar. Madoff qëndronte në këmbë me duar të bashkuara përpara gjykatësit ndërsa ai lexonte verdiktin. "Mashtrimi ka qenë kolosal", tha Chin, pasi dëgjoi dëshmitë nga disa viktima të Madoff.
Përpara se të merrej vendimi, Madoff foli përpara trupit gjykues. "Nuk mund të kërkoj falje për atë që bëra", tha ai duke folur me qetësi. "Si mund të kërkosh falje kur ke mashtruar mijëra investitorë, të cilët të besojnë kursimet e jetës së tyre dhe ti i tradhton?", shtoi ai.
Ai shtoi: "Tashmë jetoj në vuajtje duke kuptuar dhimbjen dhe vuajtjet e mëdha që kam shkaktuar". Në fillim të seancës, Madoff qëndronte pa lëvizur me shikimin përtokë ndërkohë që viktimat e tij kalonin përpara për të dëshmuar se si ishin shkatërruar financiarisht dhe se si kishin shitur shtëpitë e tyre duke jetuar me sigurimet shoqërore. Sipas dokumentacionit që disponon gjykata, shuma e parave të përvetësuara është ende e pasaktë. Prokurorët thonë se për dekada, në llogarinë kryesore të Madoffit kanë qarkulluar 170 miliard dollarë, ndërsa disa javë përpara arrestimit të tij, në llogarinë e kompanisë që ai drejtonte u gjetën 65 miliard dollarë. Deri tani, nga kompanitë dhe pasuritë që ai disponon, janë mbledhur 1.2 miliard dollarë për t'ua kthyer viktimave të mashtrimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›