Madonna i bën thirrje Papës: Shkoni në Gaza para se të jetë tepër vonë

Superylli i muzikës, Madonna, ka ndërmarrë një hap të pazakontë duke i kërkuar Papës Leonit XIV të vizitojë Gazën dhe të ndihmojë fëmijët që po vuajnë nga lufta dhe uria. Apeli u bë përmes një postimi në mediat sociale, ku këngëtarja shprehu pikëllimin e saj si nënë për vuajtjet e fëmijëve palestinezë.
Në postimin e saj, Madonna shkruan:
“Atë i Shenjtë. Ju lutem shkoni në Gaza dhe sillni dritën tuaj fëmijëve para se të jetë tepër vonë. Si nënë, nuk mund ta duroj dot vuajtjen e tyre.”
Ajo theksoi se fëmijët e botës i përkasin të gjithëve dhe se Papa është i vetmi person që nuk mund t’i mohohet hyrja në rajon. Madonna shpjegoi se nuk po mban anë në konflikt dhe se po përpiqet të ndihmojë që fëmijët të mos vdesin nga uria.
Kjo thirrje vjen në një kohë kur Papa ka bërë thirrje të vazhdueshme për një armëpushim të menjëhershëm dhe respektimin e ligjeve humanitare. Megjithatë, situata humanitare në Gaza mbetet kritike, me raportime nga Kombet e Bashkuara dhe punonjësit humanitarë për vdekje të fëmijëve nga kequshqyerja. Ndërsa Izraeli mohon që po ndodh një zi buke, duke akuzuar Hamasin për vjedhje të ndihmave, OKB thotë se mijëra fëmijë janë diagnostikuar me kequshqyerje.
/rtsh.al/