E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mafia në sulm ndaj sistemit të drejtësisë



Ditët e fundit qytetarët shqiptarë janë njohur me disa fakte tronditëse të grabitjes së trojeve publike nga më me vlerë të qendrës së Tiranës nga individë në një aferë të rëndë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Të tjera raste të rënda janë evidentuar dhe do t’i bëhen me dije publikut.

Këto nuk përbëjnë aspak çështje thjesht të korrupsionit me funksionet publike.

Të gjitha rastet kanë të bëjnë me zaptime të pasurive shumë të mëdha publike, duke ndryshuar në mënyrë dramatike vlerën reale të tyre në funksion të biznesit privat të ndërtimit të një grupi të vogël individësh. As më shumë e as më pak kjo është forma tradicionale e aktivitetit të mafies në funksion të pastrimit të parave në shuma kolosale. Fakti i pastrimit të parave të mafies në biznesin e ndërtimit në Shqipëri përbën një nga evidencat e vazhdueshme të institucioneve ndërkombëtare të monitorimit.

Gjatë katër viteve të shkuara kemi parë një përplasje të vazhdueshme të qeverisë së Sali Berishës me aferat korruptive, me krimin ekonomik dhe format e ndërtimit të aseteve ekonomike kriminale. Dukej që përpos të tjerave kjo praktikë qeverisëse do të përbënte një arsye tjetër të fortë që Sali Berisha të rikonfirmohej në zgjedhjet e 28 qershorit.

Mafia si kudo në botë edhe në Shqipëri do të tentonte të fitonte dhe komandonte segmente të rëndësishme të politikës. Duket se e arriti këtë përmes investimit të gjatë të saj, duke marrë drejtimin e një prej forcave kryesore politike në Shqipëri, atë të Partisë Socialiste. Tashmë kjo forcë do të fliste vetëm me gojën e Edi Ramës, do të administrohej vetëm nga individë tërësisht jashtë strukturave tradicionale partiake të kësaj force politike, por mjaft aktivë në biznese shumë të dyshimta. Sot më shumë se kurrë tingëllojnë aktuale deklaratat e një prej eksponentëve të kësaj partie, Petro Koçi, i cili denoncoi marrjen “peng” të Partisë Socialiste nga “Mafia e ndërtimit”, ky dhe të tjerë që kishin këtë shqetësim u larguan në mënyrë përfundimtare nga superstruktura e re që kishte nën komandë tashmë këtë forcë të rëndësishme politike. Gjithsesi, e ardhmja e bizneseve të paligjshme dhe aktivitetit të ekonomisë kriminale të “Mafies së trojeve” nuk ishte aspak e sigurt në vitet që do të vinin pas zgjedhjeve parlamentare të radhës në Shqipëri. Tashmë shteti ligjor në Shqipëri po konsolidohej, vendi ishte bërë anëtar i NATO-s dhe infrastruktura ligjore po përshtatej me shpejtësi me standardet e vendeve të BE-së. Institucionet e zbatimit të ligjit kishin marrë forme të plotë dhe funksionimi i tyre dukej se po forcohej. Qytetarët ishin më të vetëdijshëm dhe reagues ndaj asaj çka përbënte objektivit e kësaj shoqërie. Në këto kushte ditët e “Mafies së trojeve” do të bëheshin të vështira.

Ndaj duket se mafia e mori vendimin e saj. Përgatitje për të goditur integritetin dhe stabilitetin institucional të këtij vendi. Edi Rama, i cili në krye të opozitës për katër vite rresht, nuk ofroj asnjë model alternativ apo ide alternative, futi precedentin me të padëgjuar në asnjë vend normal demokratik atë të sulmit, shpifjes dhe përgojimit të pjesëtarëve të familjes së Kryeministrit, pa marrë parasysh nivelin ordiner të fjalorit të përdorur.

Vendimi i “Mafies së Trojeve” u bë publik që përpara zgjedhjeve të 28 qershorit. Edi Rama nuk kandidoj për në Parlament. Rasti i parë dhe besoj i paprecedent në të gjithë botën demokratike kur kryetari i partisë më të madhe të opozitës nuk kandidon në zgjedhjet e radhës. Qartazi, “Mafia e Trojeve” dinte rezultatin e pritshëm. Rezultat i cili do të prodhonte një proces të fortë ligjor ndaj veprimtarisë së saj kriminale.

Paniku që kishte kapluar “Mafien e Trojeve” arriti deri aty sa Edi Rama u përgatit të bojkotonte zgjedhjet parlamentare. Ndërhyrje të forta ndërkombëtare e detyruan Edi Ramën të hynte në zgjedhje.

Procesi parazgjedhor u tentua me të gjitha format të destabilizohej dhe komprometohej.

Nga dita e parë dhe deri atë të fundit Edi Rama nuk bëri asnjëherë thirrje që qytetarët shqiptarë të merrnin kartat e identitetit me pritjen ngazëlluese që ky proces të dështonte.

Dështimi i parë i madh për Edi Ramën erdhi kur kutitë e votimit u mbyllën në qendrat e votimit. Qytetarët kishin marrë pjesë në mënyrë masive në zgjedhje, as edhe një zë i vetëm nuk kishte pasur të ankohej se nuk mundi të ushtronte dot të drejtën e votës, as se dikush nuk ishte ne listën e votuesve e as se dikush mund të ishte penguar e as se dikush nuk mundi të pajisej me kartën e identitetit. Asnjë veprim minimal dhune nuk u shënua në ndonjë vend-votim anekënd vendit.

Sapo rezultatet e zgjedhjeve u kristalizuan dhe se ku qartazi Sali Berisha ishte kryetari i koalicionit më të votuar në vend, dhe se Sali Berisha me Ilir Metën përbënin koalicionin qeverisës me një diferencë prej 100.000 votash më shumë se koalicioni i Edi Ramës, “Mafia e Trojeve” fillimisht në një amulli dhe përçartje nisi kontestimin e zgjedhjeve. “Mafia e Trojeve” kuptoi se vazhdimi i një modeli qeverisës ku prevalon dhe forcohet çdo ditë shteti ligjor, problemet e saj do të ishin të mëdha.

Në një demokraci funksionale, armiku më i madh i mafies është pushteti gjyqësor. Duket se strategjia e “Mafies së Trojeve” tashmë u kristalizua. Duhej të adresohej sulmi mbi sistemin e drejtësisë, pushteti dhe mekanizmi i gjyqësorit do të sulmohej egërsisht nga kjo mafie përmes gojës dhe veprimeve të Edi Ramës, i cili tashmë ishte tërësisht fytyra formale dhe instrumenti i legalizuar i saj.

Artikulimi i maskuar u gjet. “Të hapen kutitë e votimit”. Po cilat kuti?

Kutitë në të cilat u hodh vota e çdo qytetari u hapën gjatë gjithë ditës nga të dyja forcat politike. Komisionet me 50% pozitë dhe 50% opozitë administruan këto kuti të hapura ku qytetarët hodhën në mënyrë të lirë dhe të qetë votën e tyre. E më pas po të dyja palët i mbyllën ato dhe i dërguan po së bashku në vendet e numërimit. Kutitë edhe këtu u hapën përsëri nga komisionet e numërimit të përbërë 50% nga pozita dhe 50% nga opozita. Të dyja palët i numëruan së bashku, madje duke filmuar e regjistruar në film çdo votë. E më pas i mbyllën përsëri së bashku, regjistruan rezultatin final së bashku, nënshkruan legjitimitetin e atij rezultati. Pra, kutitë u hapën dhe u mbyllën nga të dyja palët. Asnjë kuti e asnjë votë nuk ka mbetur pa u hapur dhe pa u numëruar.

Por “Mafia e Trojeve” e ka problemin pikërisht me forcën e legjitimitetit që buron nga një pushtet kaq qartësisht i formësuar.

Artikulimi “të hapim kutitë” është spekulim për të fshehur atë që kërkon në të vërtet “Mafia e Trojeve” me gojën e Edi Ramës. Ajo që kërkon në të vërtet mafia është të godasë pushtetin gjyqësor, ta degradojë atë, ta bëjë gjykatën të pa qenë, sistemin e drejtësisë ta nulizojë. Pushteti i politikës të jetë absolute mbi këdo e mbi gjithçka. E kështu mafia që komandon një segment të rëndësishëm të politikës do të ketë pushtet absolut mbi çdo pushtet tjetër. Kjo do të ishte vdekja e sistemit që fituam pas shumë vuajtjesh edhe ne shqiptarët më 8 dhjetor 1990.

Mafia e ka fare të qartë objektivin e saj.

Mafia kërkon bllokim të demokracisë funksionale. Ndaj vendos që pjesën e kapur ta mbajë jashtë Parlamentit. Një Parti Socialiste në parlament do ta linte tërësisht në hije instrumentin e “Mafies së Trojeve” në politikë, Edi Ramën. Figurat e tjera politike të PS-së do ishin epiqendra e politikëbërjes për sa kohë ajo do të bëhej në Parlament.

Mafia kërkon paralize të instrumenteve të shtetit ligjor dhe atij të së drejtës. Ndaj synon të shkelen gjykatat dhe të ç’bëhet pushteti gjyqësor.

Mafia kërkon qytetar të izoluar, të trysnuar dhe të mbyllur për të mos zhvilluar të drejtat dhe botën civile të tyre, ndaj tenton të bllokojë liberalizimin e vizave për shqiptarët.

Mafia kërkon të mbajë shoqërinë shqiptare larg konsolidimit të standardeve evropiane, ndaj tenton të pengojë procesin e integrimit të saj.

Vërtet që ka një rrezik serioz. Rrezik që buron nga pozicioni ku është vendosur tashmë MAFIA (në rastin tonë “Mafia e Trojeve”) në strukturën e politikës. Kapja dhe përdorimi i një prej segmenteve të rëndësishëm të politikës siç është PS përmes instrumentit të saj legal, Edi Ramës.

Jam plotësisht i qetë se ky rrezik do të mund të përballet me dinjitet, tashmë nga një shoqëri e maturuar, e çliruar nga sugjestioni i pushtetarëve të përjetshëm që më 8 dhjetor 1990, e përcaktuar në trendin e saj të pakthyeshëm të integrimit në hapësirën e shtetit të së drejtës, atij ligjor dhe prosperues.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›