E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIFF dështon “Bastardët pa lavdi”



Filmi rrugën e të cilit drejt Oscar-it e ka nisur tashmë, me një çmim në “as” nën krahë, atë të aktorit më të mirë të shpallur në Kanë, “Bastardë pa lavdi” me regjinë e Quentin Tarantino dje ka dështuar në Tiranë.

I programuar në axhendën e festivalit të filmit, pra TIFF, në orën 20.30, publiku që kishte mbushur sallën e Teatrit Kombëtar ka pritur plot një orë. Përveç ca përçapjeve të pasuksesshme për ta riprojektuar në ekran, sërish teknikët e kanë parë të pamundur rishfaqjen. Derisa rreth orës 21.30 u lajmërua se për arsye teknike filmi u shty për sot. Në pelikulë 35 mm, për projeksionin e filmit sot nuk është dhënë ndonjë orar i saktë. Organizatorët pritet të lajmërojnë sot publikun, ndonëse duket pak e pamundur për shkak të axhendës së ngjeshur që ka vetë programi i TIFF. Por për publikun kryeqytetas premiera e filmit ka mbërritur qysh më 20 nëntor, shfaqur në kinema “Millenium 2”. Francë. Lufta e Dytë Botërore. Një grup ushtarësh amerikanë me origjinë hebraike futen në territorin francez për një mision special: të vrasin sa më shumë nazistë dhe të marrin pjesë në një aksion sabotazhi, për të eliminuar Fyhrerin e bashkëpunëtorët e tij më besnikë gjatë një premiere të filmit të realizuar nga Goebbels, që zhvillohet në një kinema në Paris. Ndërkohë edhe zonjusha e bukur Shosanna Dreyfus, një vajzë me origjinë çifute, pronare e sallës ku do të zhvillohet premiera, do të përpiqet të bëjë hakmarrjen e saj personale kundër atyre që kanë masakruar familjen e saj, nga e cila vetëm ajo shpëtoi... Kjo është historia e propozuar në filmin “Inglourious Basterds” (në shqip “Bastardë pa lavdi”), i nominuar për “Palmën e Artë” në Festivalin e Kanës, ku protagonisti Christoph Ëaltz shpallet aktori më i mirë për vitin 2009, ndërsa regjisori i filmit Quentin Tarantino shënon një rikthim të lavdishëm dhe mjaft të duartrokitur si nga publiku ashtu edhe nga kritika.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›