Beteja kundër HIV, një sfidë; jo një tragjedi
Intervistë me z. Pelin Pema, drejtues i Shoqatës për Rehabilitim dhe Parandalim të HIV/AIDS
Z. Pema, shoqata ku ju bëni pjesë, merret prej disa kohësh me parandalimin e HIV/AIDS. Mund të na thoni diçka më tepër për mënyrën si funksionon kjo shoqatë dhe objektivat e saj?
Unioni Kombëtar për Prevenim dhe Rehabilitim (NUPR) është një organizatë joqeveritare (jofitimprurëse) që vepron kryesisht në Tiranë me tendencën për t’u shtrirë në të ardhmen dhe në rrethe të tjera të vendit.
Është zgjedhur Tirana, për shkak dhe të peshës së saj specifike që mban si qetet me gati 1 milion banorë, por edhe për shkak të problematikës që paraqet si qytet me zhvillime të vrullshme demografike.
Në sajë të një bashkëpunimi me institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare NUPR ka arritur të këtë një strukturë organizimi dhe menaxhimi në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare, me një staf të trajnuar shumë mirë dhe me një eksperiencë të gjerë në reduktimin e dëmit.
NUPR ka marrëdhënie bashkëpunimi shumë të mira me ISHP dhe institucione të tjera të qeverisë dhe të pushtetit lokal.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi ISHP ka angazhuar shoqatën tonë në implementimin e projektit me mbështetjen e Global Found që ka në fokus grupet vulnerable në veçanti përdoruesit e drogës (IDU) dhe së fundi dhe meshkuj që shkojnë me meshkuj (MSM).
Me formimin e një njësie të lëvizshme të përbërë nga punonjës outreach, mjekë infeksionistë, punonjës socialë, kemi vënë si qëllim që të shkojmë ne në komuniteti dhe jo të thërrasim ata në zyrë dhe të ofrojmë këshillim, testim vullnetar dhe konfidencial, fushata për ndërgjegjësimin e publikut për prevenimin e HIV/AIDS dhe rritje të njohurive për mënjanimin e sjelljeve të rrezikshme.
Njësia jonë lëvizëse shkon në komunitet dhe ofron shërbimin e testimit dhe këshillimit. Punonjësit outreach shpërndajnë shiringa të pastra, kondomë, informacion në komunitet, duke bërë kështu të mundur realizimin e lidhjeve komunitet – njësi e lëvizshme.
Përse është zgjedhur kjo mënyrë pune dhe ky organizim, kur kjo mund të bëhej fare mirë me spote televizive apo diçka tjetër të ngjashme?
Në ditët e sotme të rinjtë shqiptarë po përballen me sfida të reja, të ndryshme nga ato të brezave të mëparshëm. Krahas sfidave të përhershme që sjell adoleshenca, të rinjtë duhet të përballen edhe me sfida që i vënë ata në rrezik: HIV/AIDS, sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme, abuzim i çdo forme, përfshirë atë seksual, alkooli, duhani dhe drogat po kërcënojnë sot jetën e shumë të rinjve.
Në përgjithësi ekziston një marrëveshje së edukimi i të rinjve nga të rinjtë mund të jetë një metodë shumë efikase për të trajtuar çështje të ndjeshme, siç janë seksualiteti, përdorimi i substancave etj., sepse është provuar tashmë së të rinjtë janë të prirë të mësojnë dhe të ndërveprojnë lirshëm me bashkëmoshatarët e tyre. Për më tepër të ashtuquajturit ‘grupet e vështira për t’u arritur’ si fëmijët e rrugës, punëtorët e seksit komercial, përdoruesit e drogave të injektueshme, komuniteti rom mund të arrihen dhe të pranojnë të flasin për tema të tilla nëpërmjet angazhimit të të rinjve, të cilët ndajnë të njëjtat përvoja me ta.
Kështu, një fokus të veçantë ne i kushtojmë krijimit të edukimit në grup, duke organizuar edhe sesione trajnimi për të shmangur këtë lloj mosinformimi.
A mund ta mendojë kush së të rinjtë që përdorin drogë apo punonjëset e seksit do të ishin të disponueshëm të dëgjonin më mirë këshillat akademike të një njeriu me kollare në një sallë luksoze e të ngrohet, ku do të ndiheshin si mbi gjemba apo të një moshatari të tyre që shkon i gjen dhe bisedon me ta atje në rrugë ku ata vetë e quajnë si terrenin e tyre.