Magdeburg, evakuohen 23 000 njerëz të kërcënuar nga vërshimet

Vërshimet në lindje të Gjermanisë po shkaktojnë vuajtje gjithnjë e më të mëdha. Lumi Elba ka arritur sot nivel të ri rekord dhe kjo ka bërë që të shkatërrohen disa diga dhe të evakuohen nga qyteti i Magdeburgut mbi 23 000 persona. Vërshimet tashti po i afrohen landit federal Brandenburg dhe veriut të Gjermanisë. Si raporton agjencia sllovene e lajmeve STA, niveli i Elbës sot pasdite për herë të parë filloi të bie dhe mbase kjo jep shpresa që më e keqja ka kaluar. Mirëpo, dhjetëra mija njerëz ende nuk dinë se kur do të mund të kthehen nëpër shtëpitë e veta.
Në landin Anhalt ka shqetësime edhe për shkak të kërcënimeve anonime për sulmin e digave dhe shpërthimin e tyre, andaj policia sot e ka ngritur vëzhgimin dhe kontrollin e digave.
Presidenti Joachim Gauck ka vizituar sot viset e vërshuara buzë lumit Elba dhe atij Saale. Në Gjermani deri tashti janë regjistruar shtatë të vdekur nga vërshimet, por ka edhe mjaft të zhdukur. Në tërë vendin janë angazhuar afër 70 000 zjarrfikës dhe 11 000 ushtarë./Indkeksonline./