E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi “fsheh” Analfabetizmin!

Në Maqedoni ende mungojnë të dhënat e reja lidhur me numrin e popullatës analfabet në vend. Të dhënat e fundit se sa është numri i këtij rangu të qytetarëve janë ato të vitit 2002, kur është bërë regjistrimi i fundit i popullsisë. Siç informojnë nga Enti Shtetëror për Statistikë (ESHS) kjo kategori e të dhënave hyn së bashku në kategorinë e pyetjeve që bëhen në regjistrimin e popullsisë. Të dhënat e regjistrimit të popullsisë e vitit 2002 flasin se nga popullsia e përgjithshme e cila është më e vjetër se 10 vite dhe numri i të cilit është 1.756.606 persona, 63.562 ose 3.6 për qind janë analfabet. Nga numri i përgjithshëm i popullatës së meshkujve analfabet janë 1.7 për qind, ndërsa nga numri i përgjithshëm i femrave analfabet janë 5.5 për qind. Regjistrimi i vitit 2012 tregoi se koncentrim më i madh i personave analfabet është në komunat e pjesës jugore të Maqedonisë, pastaj në pjesën verilindore, rajonin e Kumanovës dhe të Kriva Pallankës dhe në pjesën jug lindore.

Nga numri i përgjithshëm i popullsisë së moshës mbi 15 vjeç e cila numëron 1.596.267 persona, pa arsimim janë 67.358, ndërsa me arsimim jo të kompletuar janë 219.507 persona dhe këta dy kategori së bashku përbëjnë 18 për qind nga numri i përgjithshëm. Nga ato, 4.2 janë pa shkollim, ndërsa 13.8 për qind janë pa arsim fillor të kompletuar. Numri i personave që kanë të kryer arsimin fillor është 559.082 dhe kjo është 35 për qind e popullsisë së përgjithshme e cila është në moshën mbi 15 vjeç, shkruan Zhurnal.

Ndërsa me shkollë të mesme janë 588.554 persona ose 36.9 nga numri i përgjithshëm të cilët kanë kryer arsim të mesëm, deri sa 10 për qind gjegjësisht 159.235 persona janë me shkollim të lartë të mbaruar duke përfshirë këtu personat të cilët kanë magjistraturë dhe doktoraturë. Dukuri shqetësuese Lidhur me këtë dukuri sociologu Metush Sulejmani thotë se problemi i analfabetizmit është shqetësuese për çdo tip të shoqërisë përfshirë edhe Maqedoninë, por mendon se ky numër për shkak të mungesës së statistikave zyrtare, tani është më i ulët dhe ka shënuar rënie, ndërsa këtë e argumenton me disa fakte.

“Këto supozime i mbështes në faktin se në Maqedoni kemi një arsimim masiv të popullatës i cili mundësohet si përmes shkollave dhe Universiteteve publike ashtu edhe përmes shkollave dhe Universiteteve private në vend. Me këtë lloj të arsimit masiv gjithashtu kanë ndikuar edhe disperzimet e fakulteteve të ndryshme ku secilit student i mundësohet të studion në vendlindjen e vet. Gjithashtu edhe karakteri obligues i shkollës fillore dhe të mesme e ka efektin pozitiv drejt zvogëlimit të shkallës së analfabetizmit”, deklaroi sociologu, Metush Sulejmani.

Ai më tej shton se arsyet për ngritjen dhe rrënje e shkallës së analfabetizmit në vend janë pabarazitë ekonomike dhe socio politike në vend. “Me ngritjen apo uljen e analfabetizmit pa dyshim ndikon vetë stratifikimi social në shoqëri. Tek shtresat e mesme dhe të larta nuk ka analfabetizëm ose është një përqindje shumë e ulët ndërsa tek shtresa e ulët e varfër kjo përqindje është më e lartë sepse këto shtresa jetojnë në kufijtë e ekzistencës dhe kanë nevojë për gjërat më elementare ekzistenciale”, shtoi më tej Sulejmani.

Kohë më parë, akademiku Abdulmenaf Bexheti, njëherësh ish anëtar i Komisionit për regjistrim ka thënë se Regjistrimi i popullsisë ka dështuar për shkak të tendencave për t’u ulur përqindjen e popullsisë shqiptare në Maqedoni. Sipas tij, nëse regjistrimi do të ishte real dhe jo i manipuluar, atëherë duhej që përqindja e shqiptarëve në Qytetin e Shkupit të jetë rreth 24%, bazuar në shifrat e ESHSsë për trendin e natalitetit dhe mortalitetit në komunat shqiptare. Drejt çrrënjosjes...

Madje, sociologu Fami Osmani vlerëson se numri i personave analfabet ka rënë në mënyrë drastike edhe pse për këtë gjë nuk kemi të dhëna zyrtare. Mirëpo, duke i parë zhvillimet shoqërore në vend, sipas tij, nuk mund të konstatojmë se kjo është ashtu.

“Janë disa arsye për të besuar se ky numër ka shënuar rënie. Së pari është ajo se arsimi i mesëm është bërë obligues. Së dyti ajo që është edhe më e rëndësishme programet për zhvillimin e arsimit tek personat e moshuar. Kjo për shkak se një pjesë e popullatës tek neve të moshës më madhor nga shkaqe të ndryshme nuk kanë mundur të arsimohen, ndërsa me këto programe ata së paku janë pajisur me njohuri të mjaftueshme dhe kështu besoj se kjo ka ndikuar në uljen e analfabetizmit. Këto masa që i ka ndërmarr shteti besoj se kanë qenë mekanizmat e duhura në drejtim të uljes së numrit të personave analfabet në vend dhe çrrënjosjen e tërësishme të saj”, tha Osmani.

Madje, në Qendrën për Arsimimin e të Rriturve (QAR) në këtë kategori kanë të evidentuar 89.700 persona, pra të cilët nuk e kanë të kryer shkollën fillore. Në numrin e përgjithshëm të popullatës, e cila sipas regjistrimit të vitit 2002 është rreth 2.300.000 banorë, numri i atyre që QAR-ja i kategorizon pa shkollë fillore përben 3.9 për qind të popullatës së përgjithshme. Niveli i të pa shkolluarve, del për disa promilë më i ulët se përqindja e analfabetëve që evidenton ESHS-ja, mirëpo nëse shtohet edhe numri i atyre që po sipas QAR-së nuk dinë shkrimlexim, atëherë del me e lartë përqindja e të pa shkolluarve në përgjithësi apo e atyre që nuk kanë arsimin bazë. Dhe, në bazë të statistikave me të cilat punon QAR, krahas 3.9 për qind e popullatës që nuk kanë të kryer arsimin fillor, janë edhe 1.7 për qind e popullatës që nuk dinë shkrim-lexim, respektivisht analfabetë. Në numrin e përgjithshëm i bie që Maqedonia të ketë 16.099 analfabete dhe 89.700 pa shkollë fillore, apo 5.6 për qind e numrit të përgjithshëm. Zonat rurale, sipas statistikave, janë me tepër të prekura nga analfabetizmi, kurse ndërprerja e shkollimit fillor është me tepër dukuri e gjinisë femërore. Maqedonia është nënshkruese e të gjitha deklaratave ndërkombëtare për luftimin e analfabetizmit, njëra prej të cilave edhe “Dekada e romëve” /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›