E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja drejt Prishtinës!

SHKRUAN: Jeton Selimi 24-03-2011 11:49

Nuk mund të jetë të një utopi që kombëtarja kuqezi të spostohet për disa muaj në stadiumin e Prishtinës, në folenë e dytë më të madhe mbarëshqiptare pas stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Gjithçka ka lindur pas një takimi në Tiranë që ka pasur kryetari i KF Prishtinës, Remzi Ejupi, me presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Duket se bisedimet e fundjavës së shkuar kanë pasur një ecuri të mbarë, sepse është pikërisht Remzi Ejupi ai që zbulon të vërtetën e madhe: Shqipëria mund të luajë në Prishtinë pas shëmbjes së “Qemal Stafës” në vjeshtë, pas përfundimit të këtyre elimnatoreve, çka do të shënojë edhe nisjen e ndërtimeve për stadiumin e ri të kryeqytetit, një impiant modern dhe vërtet luksoz.

“Kam pasur një takim pune në Tiranë fundjavën e shkuar me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, ku ka lindur ideja e zhvillimit të ndeshjeve të kombëtares shqiptare të futbollit në stadiumin e Prishtinës. Dihet se kombëtarja ka shumë tifozë në Kosovë, kurse kapaciteti i stadiumit tonë dhe kushtet e tij janë më të përafërta me kërkesat që mund të ketë vetë FSHF-ja dhe standardet ndërkombëtare”, tha kreu i klubit bardhekaltër, Remzi Ejupi për mediat kosovare. Edhe presidenti Duka e ka konfirmuar këtë ide. “Po, Prishtina është një nga alternativat tona për zhvillimin e ndeshjeve të kombëtares sa të fillojë rrënimi i stadiumit aktual ‘Qemal Stafa’. Këtë ide jemi duke e përgatitur t’ia prezantojmë UEFA-së dhe FIFA-së për ta shqyrtuar. Në Prishtinë kombëtarja do të luante sikur në Tiranë”, tha ai. Por, stadiumi i Prishtinës nuk i ofrohet standardeve të UEFA-së e FIFA-së. “Stadiumi i Prishtinës ka një bazë të mirë, kurse detajet e përmirësimit të standardeve do të mund të përmirësoheshin edhe me një inspektim të përgjegjësve të FIFA-së e UEFA-së. Kemi kontrolluar edhe statutin dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore për të zhvilluar ndeshjet aty. Thjesht i mbetet vullnetit të mirë”, mësohet të jetë shprehur Duka. Nga ana tjetër, edhe sekretari Prodani i kontaktuar nga gazeta, është shprehur pozitivisht për këtë takim. “Është një opsion real. Kemi dhe alternativa të tjera, por stadiumi i Prishtinës do të ishte një mundësi vërtet e mirë.”

Por cili është konkurrenti i impiantit prishtinas të futbollit? “Loro Boriçi” i Shkodrës është në vend të parë, pasi kombëtarja aty ka zhvilluar disa takime, por, në ndryshim nga shtëpia e Vllaznisë, në stadiumin e KF Prishtinës është bërë një investim prej 160 mijë eurosh në gusht të vitit të shkuar. Megjithatë, federata mund të bëjë edhe alternimin e stadiumeve në fjalë, por e gjithë kjo situatë do të qartësohet në ditët që do të pasojnë përfundimin e fazës eliminatore për Euro 2012, dhe më konkretisht pas ndeshjes së 11 tetorit që kuqezinjtë do të zhvillojnë ne Tiranë me Rumaninë.

Presidenti i FFK-së

Vokrri: Kombëtarja e mirëseardhur

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri tha se ende nuk ka asgjë zyrtare në lidhje me mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve të kombëtares kuqezi në Prishtinë. “Kur të vijmë deri te kjo, atëherë do të ulemi dhe të bisedojmë, natyrisht kombëtarja është e mirëseardhur në Prishtinë”, deklaroi njëshi i futbollit kosovar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›