E Shtunë, 31 Tetor 2026

Magjia shkon në “Rrugën e zemrës”

Autori i Lajmit: Redaksia
I drejtë apo jo votimi...? Sa të sinqertë janë këngëtarët në përzgjedhjen e këngës fituese? Ka hatër-mbetje në një festival mes kolegësh? Ky është një debat që do të zgjasë, ndoshta deri në një “kulturë” tjetër të trajtimit dhe vlerësimit të profesionalitetit apo në një kulturë tjerët ku ndahet sinqeriteti me egon personale. Megjithatë mbrëmjen e së shtunës vetë këngëtarët vlerësuan si këngën më të mirë “Rruga e zemrës”, duetin e dy këngëtareve Eliza Hoxha dhe Rosela Gjylbegu. Nëse ishte adoptuar kultura e vlerësimit natën finale të festivalit “Kënga Magjike 2009” nga vetë këngëtarët finalistë, kjo mbetet për tu parë nga një këndvështrim personal, ndërsa dukej se vlerësimi i vetë këngëtarëve pjesëmarrës dhe vendimi final i bazuar në seleksionimin e tyre përputhej edhe me preferencën apo vlerësimin e publikut. Ishin pak minuta pas mesnate, kur artisti dhe producenti i një prej festivaleve më prestigjioz së këngës në Shqipëri, Ardit Gjebrea komunikoi vendimin e artistëve pjesëmarrës, ku fituese e edicionit të 11 do të ishte kënga “Rruga e zemrës” teksti nga Eliza dhe muzika Darko Dimitrov. Ishte një vendim i papritur për këngëtaret, ndërsa të emocionuara dhe në një atmosferë tejet të ngrohtë, këngëtarja Eliza u shpreh se “Ky është një çmim tepër i rëndësishëm për karrierën time”. Ndërsa Gjylbegu, e përlotur dhe mes ovacioneve nga publiku, që pothuaj se në kor thirrën emrin e fitueseve, ende pa u shpallur nga prezantuesi Gjebrea, theksoi se “Dua të përshëndes Darko Dimitrov, që më besoi muzikën e tij”.
Vendi i tretë në këtë festival i shkoi këngëtares Soni, e cila duke qeshur u shpreh se “vetëm unë dhe Irma Libohova marrim gjithmonë çmime të dyta”. Vendi i dytë u fitua nga këngëtarja e re Elvana Gjata, me këngën “Dhe zemra ndal” (teksti Ardit Roshi, muzika Flori Mumajesi). Adelina Ismajli, këngëtarja e mirënjohur nga Kosova që rikthehej pas 10 vitesh në skenën shqiptare gjeti po të njëjtën dashuri të publikut që la 10 vite më parë, ndërsa shpërthyese në performancën e saj tepër seksuale dhe të mrekullueshme elektrizoi skenën dhe publikun. Në një paraqitje të jashtëzakonshme skenike, me një veshje murgeshe, që shumë shpejt u ndryshua duke treguar një këngëtare, e cila nuk mund të ndryshojë performancën dhe personalitetin e saj artistik. Bukuroshja kosovare bëri për vete publikun, duke treguar edhe njëherë, ashtu si edhe u shpreh se “Publiku i Tiranës mbetet i rëndësishëm për mua. Ju faleminderit!”. Festivali solli edhe shumë çmime të tjera ku spikatën çmimi i internetit për Elvana Gjatën, çmimi i publikut për Adelina Ismaili me këngën “Nuk ngec” (muzika Adi Hila), e cila mori pjesë në këtë aktivitet muzikor pas dhjetë vitesh. Në dhjetëshen e këngëtarëve më të mirë sipas vendit të dhjetë u rreshtuan: Rozana Radi, Olta Boka, Kastro Ziso, Adelina Ismaili, Kaltrina Selimi, Flori, Mira Konçi, Soni, Elvana Gjata dhe Eliza Hoxha dhe Rosela Gjylbegu.
Si gjithmonë festivali solli shumë spektakël dhe mbi të gjitha pjesëmarrje të këngëtarëve jo vetëm të karrierës, por edhe më të rinjve, në një hapësirë mbarëshqiptare të muzikës shqiptare. Skenografia u realizua nga Gaetano Castelli. Prezantuan: Ardit Gjebrea, i cili është edhe producent i këtij festivali, i shoqëruar nga Carmen Gjani dhe Katerina Kongoli.

Çmimet e natës finale:

Kantautori më i mirë: Gerti Gjoni
Best Dance: Ingrid Gjoni
Çmimi AMC: Olta Boka
Çmimi Tendencë: Kastro Zizo
Magjia e Parë: Kejsi Tola
Kontributi Artistik: Sajmir Çili
Best Group: Burn
Çmimi Televiziv: Evi Reçi
Best Rock: Linda Halimi
Kënga Stil: Rozana Radi
Best Balade: Kaltrina Selimi
Çmimi Diskografik: Produkt 28
Best Melody: Soni Malaj
Jon Music: Sidrit Bejleri
Performanca më e mirë: Orinda Huta
Best Vocal: Rona Nishliu
Çmimi i Kritikës: Mira Konçi
Interpretimi më i mirë: Silva Gunbardhi & Kelly
Çmimi Çesk Zadeja: Rosela Gjylbegu & Eliza Hoxha
Kënga Hit: Flori
Çmimi i Internetit: Elvana Gjata
Çmimi i Publikut: Adelina Ismajli

Votimet e Këngëtarëve për çmimin e madh:

1. Rosela & Eliza
2. Elvana Gjata
3. Soni Malaj
4. Mira Konçi
5. Flori
6. Kaltrina Selimi
7. Adelina Ismajli
8. Kastro Zizo
9. Olta Boka
10. Rozana Radi

Adelina Ismaili: Komplotet për mua në “Këngën Magjike”

Këngëtarja e njohur shqiptare nga Kosova, Adelina Ismaili ka lëshuar dje akuza të ashpra në adresë të festivalit “Kënga Magjike” një ditë pas shpalljes së çmimeve të edicionit të vitit 2009. “Në Kënga Magjike kishte komplote të shumta dhe jo vetëm ndaj Adelinës, ka edhe këngë të tjera të cilat u ndëshkuan”, ka thënë këngëtarja e njohur. Ajo shtoi më tej se “ka marrë vlerësimin e vërtetë”, sepse “për mua ka folur një njeri i madh siç është Vaçe Zela”. Në klasifikimin në natën finale Adelina Ismaili mori 413 pikë nga votimi klasifikues i këngëtarëve që morën pjesë në “Kënga Magjike 2009”. Me këtë kuotë Adelina u rendit në vendin e shtatë. Festivali në fjalë aplikon votimin e brendshëm, i cili nënkupton se vetë këngëtarët pjesëmarrës vlerësojnë këngët me pikë duke krijuar kështu klasifikimin përfundimtar.

Ky lajm është publikuar: 23/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›