E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maia Morgenstern, Maria e shenjtë e Gibsonit në teatrin shqiptar

Më e njohura aktore rumune në botë për rolin e Marisë së Virgjër tek "Mundimet e Krishtit" të Mel Gibsonit, më 23 prill në skenën e Teatrit Kombëtar. Kësaj radhe për rolin e Vojkës ose ndryshe të Doruntinës në baladën e besës


Është aktorja më e njohur në vendin e saj, Rumani. Maia Morgenstern (1962) simbol i teatrit dhe kinemasë rumune, që botërisht u prezantua me rolin e Marisë së Virgjër, nëna e Jezusit, në filmin "Mundimet e Krishtit" të Mel Gibsonit, performon për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, më 23 prill.

Ajo është Vojka, emri që Doruntina apo Dhoqina mban në versionin rumun të baladës së besës ose të vëllait të vdekur. Së fundi është shfaqur përkrah Margarita Xhepës në produksionin teatral të spektaklit ndërballkanik mbi besën e vëllait të vdekur.

Ajo është një nga tre anët e spektrit ku regjisori grek Sotiris Haxaqis e ka parë personazhin në spektaklin pesëgjuhësh "Besa e vëllait të vdekur". Morgenstern interpreton përkrah aktores greke Maria Kaciadhaqi dhe asaj shqiptare Margarita Xhepa.


Pas premierës në skenën e teatrit "Kappa" në Athinë, aktorja rumune është shprehur se aktorët qëndrojnë në skenë "të frymëzuar nga rrënjët e bukura të tragjedisë së lashtë greke. Është një vepër e mirëfilltë artistike që të bën të vetëdijshme për rrënjët e thella të Ballkanit. Të gjithë jemi pjesë të një gjëje të madhe të përbashkët".


Morgenstein ka interpretuar në afro 30 filma, përfshi produksionin franko rumun "Lisi" të vitit 1992 ku interpreton Nelën, për të cilin rol është vlerësuar nga Akademia Evropiane e Filmit me çmim Aktorja Evropiane më e Mirë. Me këtë rol ajo u bë e njohur në Rumani sepse edhe filmi një histori për ngjarjet e rënda në ditët e fundit të regjimit komunist të Çausheskut, pati vërtet sukses përtej vendit.


E lindur në Bukuresht më 1962 në një familje hebreje (gjyshi i saj gjeti vdekjen në Aushvic), qysh në moshën 18-vjeçare iu kushtua aktrimit. Studioi në Akademinë e Filmit dhe të Teatrit në Bukuresht. Pastaj aktore e disa trupave kombëtare, e Teatrit Hebre të Shtetit, e trupës së famshme Bulandra dhe e Teatrit Kombëtar të Bukureshtit.
Nga angazhimet në teatër asaj i veçohet interpretimi tek një version skenik i "Ëngjëllit Blu", atë rol që në vitet tridhjetë pat luajtur në kinema Marlen Ditrih. Ka guxuar edhe me Medean.


Por edhe për atë vetë roli i Marisë tek "Mundimet e Krishtit" (2004) mbetet më i rëndësishmi.
Sa herë i është dhënë rasti, Morgenstern aktorja e ka mbrojtur këtë film shumë të kritikuar për dhunën dhe gjakun gati të incizuar, për akuzat ndaj kryqëtarëve të vërtetë të Jezusit të Nazaretit.

Ajo është përgjigjur se nuk është aspak një film antisemit, por "është një mesazh për tolerancën dhe dashurinë dhe i flet ndërgjegjes sonë. "Mundimet" njëlloj si teatri antik na çon drejt një katarsisi." E veç kësaj, ajo ka theksuar mesazhin politik, kundër manipulimit nga udhëheqësit të cilët e kanë shumë të vështirë t'iu hapin rrugën ideve novatore, revolucionare që po sillte Jezusi i Nazaretit.


Teknikën e manipulimit nga politika ajo e ka njohur në Rumaninë e saj komuniste: "Kur ka njerëz të varfër, të uritur, të shtypur nga diktatura ose udhëheqës tempujsh, është kaq e lehtë t'i manipulosh, t'i kthesh në kafshë",- ka thënë ajo në kontekst të filmit të Mel Gibsonit duke e cilësuar në fund të fundit një "vepër arti, jo dokumentar".


Kur është pyetur pse është bërë aktore ajo është përgjigjur: ngaqë fëmijë nuk kam pasur dhe aq kohë të luaja. "Rumania ishte një vend i vështirë për të jetuar. Dhe prindërit e mi i kanë dhënë shumë rëndësi shkollimit tim."


Publiku shqiptar që do të ndjekë më 23 prill në Tiranë "Besën e vëllait të vdekur" - baladës se birit që ngrihet nga varri i kthen në shtëpi nënës ashtu siç i pat premtuar, motrën e martuar larg - ka për të dalluar menjëherë portretin e Morgenstern-it, e veshur me të zeza, me shami të zezë në kokë njëlloj si Margarita Xhepa dhe Maria Kaciadhaqi. Është pothuajse i ngjashëm me figurën e Marisë së Virgjër kur vajton humbjen e të birit.


Dashuri idiote


"Dashuri idiote" e regjisorit Ventura Pons shfaqet sonte në orën 19.00 në kinemanë e Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi. Është historia e një fiksimi, të një tipi vetmitar, i cili i traumatizuar nga vdekja e papritur e mikut të tij më të mirë, e ka të vështirë të kuptojë se çfarë i ndodh kur është përballë një gruaje një bukur. Pa u mposhtur nga indiferenca që ajo i shfaq fillimisht, ai nis të kërkojë dashurinë e saj.
Me këtë film nis tek Marubi Cikli i katërt i kinemasë spanjolle, "Cikli i Kinemasë së Komedisë", i organizuar nga Ambasada e Spanjës dhe Akademia Marubi.
Filmat e zgjedhur për këtë cikël janë pjesë e prodhimtarisë kinematografike spanjolle të viteve të fundit (2001/2004). Të premtet e ardhshme vijojnë shfaqen "Ditë Futbolli" i David Serranos, "Ana tjetër e krevatit" i Emilio Martínez-Lázaros dhe "Pa Turp" me regji të Joaquin Oristrell-it. Filmat janë në versionin origjinal (spanjisht), me titra në anglisht.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›