Topi, të përndjekurve: Ju mbështes në çështjen tuaj
Presidenti takohet me përfaqësues të familjeve të vjetra shkodrane, në lidhje me dëmshpërblimin dhe pronat.
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka këshilluar ish-të përndjekurit politikë dhe ish-pronarët, që të ndjekin rrugët ligjore për të fituar të drejtat e tyre. Këto dy shtresa janë edhe më të persekutuar, si në regjimin komunist, por edhe në vitet e demokracisë.
Edhe pse qeveria aktuale kishte "kalin e saj të betejës", kompensimin e të shpronësuarve dhe të të përndjekurve, deri tani nuk ka kryer asnjë veprim. Pas katër vitesh qeverisje, është premtuar vetëm kompensimi i njëmijë të përndjekurve dhe nuk është thënë asgjë për të tjerët.
Disa herë këto shtresa janë ankuar për mashtrimet që u janë bërë dhe dje i kanë kërkuar një takim kreut të shtetit, Bamir Topi. Përfaqësuesit e familjeve shkodrane, Serreqi, Bushati, Guraziu, Dani, Gurakuqi, Vocaj, etj., u takuan dje me Presidentin në Pallatin e Brigadave.
Ata i parashtruan shqetësimet dhe problemet e tyre lidhur me vështirësitë dhe me pengesat që ndeshin si shtresë shoqërore, si për sa i përket dëmshpërblimit të të përndjekurve dhe viktimave të komunizmit, ashtu edhe çështjes delikate të kthimit të pronave.
Kryetari i shtetit shqiptar theksoi se i ka ndjekur gjithmonë me vëmendje të madhe dhe në vazhdimësi shqetësimet e tyre në lidhje me kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe me dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, sepse është një detyrim jo vetëm i Institucionit të Presidentit të Republikës, por edhe një detyrim moral e personal.
"Presidenti Topi, pasi ndau me ta shqetësimet e tyre, u sugjeroi përfaqësuesve të të përndjekurve politikë dhe të shpronësuarve, që të përdorin rrugët dhe mënyrat institucionale e demokratike për zgjidhjen e problemeve, duke i siguruar, gjithashtu, që ata do të gëzojnë gjithmonë mbështetjen e tij të pakursyer, si personale, ashtu edhe institucionale në cilësinë e Presidentit të Republikës",- thanë burimet zyrtare të Presidencës.