Maj ndalon rritja e huave me proleme
Muaji maj ka shënuar një frenim të rritjes së huave me probleme, për herë të parë gjatë dhjetë viteve të fundit. Sipas të dhënave të fundit nga Shoqata Shqiptare e Bankave, portofoli i kredive me vonesë të bankave në maj ishte 20.6% e totalit, i njëjti nivel si dhe në muajin prill. Kjo tendencë shënon një ecuri relativisht pozitive të sistemit bankar, pas një rritjeje të vazhdueshme të huave problematike në vend gjatë viteve të fundit. Rritja e lehtë e kreditimit në maj, krahasuar me muajin prill, me rreth 0.7% , duket se ka ndikuar në mosrritjen e huave problematike.
Shtysa për rritjen e kredisë vazhdon të vijë kryesisht nga biznesi dhe nga ndërmarrjet publike, ndërkohë që kreditimi i individëve vazhdon të jetë i plogësht. Portofoli i kredisë për biznesin u rrit me 2 miliardë lekë dhe përbën sot mbi 67% të totalit të kredisë për ekonominë.
Rritja e kredive me probleme reflekton vështirësitë me të cilat po përballet bizneset apo dhe qytetarët, të cilët nuk kanë likuiditet për të shlyer në kohë kreditë e marra . Sipas të dhënave të detajuara nga Banka e Shqipërisë deri në fund të muajit mars ka vijuar shtimi i huave të humbura. Huatë e humbura kalojnë vonesën e 365 ditëve dhe banka nuk ka më shpresa se mund ta marrë huanë për shkak se kreditori mund të ketë falimentuar, kredimarrësi mund të ketë vdekur dhe askush nuk mund të paguajë kredinë.