Majko: Duhet një komision Rama- Berisha për transferimin e pushtetit
Në pritje të largimit të qeverisë Berisha, ka pikëpyetje për mënyrën se si do të realizohet transferimi i pushtetit.
Perëndimi ka bërë thirrje për një tranzicion të butë.
Kurse ish- kryeministri Pandeli Majko thotë se duhet ngritur një komision i përbashkët mes kryeministrit në largim dhe kryeministrit të ri, për të bërë të mundur transferimin e pushtetit.
Mendoj se në situatën politike postzgjedhore do të ishte mirë që të ngrihet një Komision i Transferimit të Pushtetit. Ky komision do duhej të ngrihej nga dy kryeministrat, Rama në ardhje dhe Berisha në detyrë. Ky komision do të duhet të marrë përsipër punën dhe do të mundësonte një transferim të programeve dhe dokumenteve shtetërore. Kjo do të garantonte që në çdo ministri ekzistuese dhe nga administrata e lartë politike në ikje të mos ketë keqpërdorime të dokumentacionit shtetëror për çfarë është arritur gjer më sot. Ky komision duhet gjithashtu të kryejë dhe monitorojë të gjithë memorien elektronike të serverëve aktualë të çdo ministrie, prokurimeve publike si dhe së ashtuquajturës e-Government (procesit të dixhitalizimit të qeverisjes), tha Majko për Panoramën./ep