TemA TV/ Vëzhguesit vendorë: Kolegji smund të shpërndajë mandatet, kjo do deligjitimojë procesin (VIDEO)
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, KVV, në një konferencë për shtyp, theksoi se ndarjen e mandateve duhet ta bëjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në rast se ndarjen e mandateve do e bëjë Kolegji Zgjedhor, sipas KVV, kjo do deligjitimojë procesin.
Kjo për shkak se Kodi Zgjedhor e përcakton Kolegjin Zgjedhor si të përkohshëm.
Në kohën kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon të funksionojë vetëm me katër anëtarë, KVV nënvizon se ligji ia dedikon vetëm KQZ certifikimin e rezultatit. Theksojmë se kodi e përcakton Kolegjin Zgjedhor si të përkohshëm dhe si rezultat, ai nuk mund të shpërndajë mandatet e deputetëve. Një akt i tillë mund të deligjitimojë të gjithë procesin. Duhet që KQZ të bëjë certifikimin e procesit zgjedhor, thekson në deklaratë KVV.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë lidhet me ankimimet. Sipas tyre, ankesat e depozituara në KQZ nuk lidhen me problemet e evidentuara ditën e votimit.
Koalicioni ka qenë me një metodologji mikse, duke përdorur vëzhguesit fiks, lëvizës dhe statistikat, që lejon përgjegjësimin e gjetjeve. Niveli i besueshmërisë së kësaj metodologjie të përdorur nga koalicioni është 95%. Nga gjetjet e dala nga monitorimi vërehet që ecuria në përgjithësi është pozitive. Vërehen gjithashtu edhe mosmbarëvajtje d.m.th shkelje, si votimi familjar në një pjesë të mirë të qendrave të votimit në vend. Ajo çka morëm nxitje për të dalë sot është se procesi i ankimimit në KQZ nuk evidenton asnjë nga këto mosmbarëvajtje. Është në vullnetin e subjekteve politike për të ankimuar këto shkelje, por ajo që përbën shqetësim duket se vullneti politik për ta pranuar rezultatin ka bërë që të kalojnë në heshtje edhe shkeljet ligjore, përfundon deklaratën KVV./ep
