E Diel, 1 Nëntor 2026

Majko: Projekti antikushtetues, godet të drejtën për pronën

15/07/2010 Komisioni i Ligjeve miraton parimisht ndryshimet e ligjit për pronat. Opozita kundër

Ndryshimet më të fundit të mazhorancës për ligjin e pronës janë kundërshtuar ashpër nga deputetët e opozitës, duke e cilësuar atë edhe antikushtetues. Drafti i propozuar nga ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, u prezantua nga ky i fundit në Komisionin parlamentar të Ligjeve, por u kundërshtua nga kolegët e tij të majtë. Sipas tyre, ligji cenon parimin e sigurisë juridike. “Rishikimi i titujve të pronësisë nga drejtoritë administrative në vend të drejtorive gjyqësore është një goditje ndaj të drejtës së pronës. Afatet që parashikohen në këtë projekt janë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Civile dhe atë Administrative. Me këtë projekt po i hapni rrugën një precedenti, atij për të verifikuar titujt e pronësisë nga agjenci administrative. Ky projekt për çakejtë e administratës po u shtron asfaltin për të riparë titujt e pronësisë. Në Durrës dhe në Tiranë u jepni pronësi në mënyrë të padrejtë, dhe në bregdet keni çuar ekskavatorët”, theksoi në fjalën e tij deputeti i PS-së, Pandeli Majko. Të njëjtin frymë diskutimi ndoqën edhe deputetët e tjerë socialistë. Pro projektit u deklarua deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço, i cili e përgëzoi kolegun deputet për punën e bërë. “Ndryshimet që ka sjellë në Kuvend janë propozuar në momentin e duhur. Janë 312 raste të deklaruara fajtore, por as gjykata dhe as prokuroria nuk kanë kërkuar fshirjen nga hipoteka. Këto vendime duhet të rishikohen, pasi kemi të bëjmë me dënime penale”, tha ai. Vetë propozuesi, deputeti i PD-së, pasi dëgjoi të gjitha diskutimet risqaroi se projekti nuk ka aspak për qëllim të zgjidhë çështjet e pronës vetëm me instrumente administrative. “Ligji nuk ndalon asnjë individ që ti drejtohet gjykatës për aktet administrative”, tha ai. Projekti parashikon rastet kur drejtori i AKKP-së ka të drejtë të rishohë vendimet e AKKP-ve rajonale apo ato të ish-komiteteve për kthimin dhe kompensimin e pronës. Po ashtu, drejtori i AKKP-së ka të drejtë që pas marrjes në shqyrtim të çështjes dhe kthimit të saj në themel, të marrë vendim për shfuqizimin e vendimeve të paraardhësit, në rast se konstatohen shkelje procedurale. Një rol i rëndësishëm në këtë proces duket se i është dhënë dhe Avokaturës së Shtetit, e cila ka të drejtë të bëjë kërkesë për rishqyrtim të çështjes, deri në 5 vjet pas marrjes së vendimit, ndërsa subjektet e kanë këtë të drejtë brenda 45 ditëve.

Shegush Ligori

“Ligji është antikushtetues dhe bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ky është një projekt për të nxitur te qytetarët pasigurinë për pronat. Ligjit i janë bërë aq shumë ndryshime, saqë përshtatjen me to e ka të vështirë edhe gjykata. Zgjidhja e konflikteve për pronësinë duhet të zgjidhet nga gjykata dhe jo nga drejtori i AKKP-së”.

Damian Gjiknuri

“Asnjë organ administrativ nuk mund të godasë vendime gjyqësore apo quasi gjyqësore. Jam dakord që ka një problematikë dhe hajde ta zgjidhim, por nuk është kjo mënyra e duhur, pasi projekti i kundërvihet vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe cenon parimin e sigurisë juridike. Për mendimin tim, ndoshta duhet të rishikojmë Kodin e Procedurës Administrative”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›