E Diel, 1 Nëntor 2026

Semaforë në të 2 anët e urës së Bunës

15/07/2010 Pritet të “çlirohet” lëvizja e mjeteve

SHKODER- Vendosja e semaforëve në dy anët e Urës së Bunës do të mënjanojë këtë sezon veror problemin e përvitshëm të qarkullimit të automjeteve. Duke qenë një urë njëkalimëshe dhe me mungesë të herëpashershme të efektivave të policisë në të dy anët e urës, për çdo sezon veror krijohej një kaos e bllokim qarkullimi, që jo rrallë shkonte dhe me orë të tëra. Kjo situatë aspak normale, që krijohej nga vetë drejtuesit e automjeteve për shkak të mos hapjes rrugë njëri-tjetrit ishte bërë pengesë për lëvizjen lirshëm drejt zonës turistike Shirokë-Zogaj, si dhe vajtje-ardhjet e turistëve në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit. Duke parë këtë situatë, Drejtoria Rajonale e Rrugëve realizoi sot vendosjen e semaforëve, të cilët pritet të normalizojnë qarkullimin mbi urë e në të dy krahët e saj.

“Me qëllim lehtësim e qarkullimit rrugor dhe kalimin sa më komod në urën e Bunës, e cila jo në pak raste është në një shqetësim për drejtuesit e automjeteve, Drejtoria rajonale e Rrugëve ka vendosur semaforë, që do shërbejnë për mënjanimin e problemeve dhe lehtësimin e qarkullimit rrugor. Drejtoria rajonale e Rrugëve ka në varësi segmentin ku është kjo urë, ndaj u vendosën dy semaforë portativë, që do jenë në funksionim gjatë gjithë sezonit veror, por edhe deri në përfundimin e ndërtimit të urës së re mbi lumin Buna. Kjo masë u mor për të mundësuar lëvizjen e lirë të automjeteve”, theksoi Nesti Kiri, drejtor i Drejtorisë rajonale të Rrugëve të qarkut Shkodër. Me vendosjen e këtyre semaforëve mënjanohen vështirësitë në qarkullimin përmes urës së vjetër të Bunës, ku vazhdimisht janë hasur raste me përplasje verbale mes drejtuesve të mjeteve se kush duhej të kalonte më parë mbi urë. Me vendosjen e këtyre semaforëve shpresohet të ketë respektim nga ana e drejtuesve të mjeteve, në mënyrë që të mos ketë probleme si vitet e kaluara. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›