Majlinda Bregu: Me mbylljen e reformës zgjedhore përmbushëm kryefjalën e detyrimeve tona ndaj Brukselit
Mazhoranca është e bindur se me mbylljen e reformës zgjedhore ka përmbushur një detyrim madhor ndaj Brukselit. Sa për detyrim ndaj shqiptarëve, nuk bëhet fjalë.
Ministrja Majlinda Bregu, duke folur për mediat pas përfundimit të takimit të 5-të të Komitetit të Stabilizim-Asociimit të zhvilluar më 11-12 korrik në Bruksel, tha se drejt mbylljes është edhe reforma parlamentare, ndërkohë që uroi që opozita të votojë heqjen e imunitetit.
Reforma zgjedhore, e cila në fakt ishte kryefjala e të gjitha detyrimeve – e kemi thënë hapur reforma zgjedhore dhe amendimet me konsensus janë kryefjala e të gjitha detyrimeve – i hap rrugën mbylljes apo ngushtimit të klimës së mosbesimit që ka ekzistuar gjatë këtyre viteve mes forcave politike. Dhe bën të mundur kthimin e një logjike tjetër në atmosferën politike shqiptare, ku opozita por edhe mazhoranca pranojnë pa kundërshtuar, por edhe pa i vënë gjobë vendit, por edhe vetes, një proces elektoral dhe një rezultat elektoral. Me këtë nuk dua të them që detyrimet e tjera janë më pak të rëndësishme, por me heqjen e imunitetit në 6 gusht urojmë që opozita do të votojë për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët, një draft të propozuar nga EURALIUS dhe nga PAÇA – përmbyllim dy nga reformat më madhore të pjesës politike. Po ashtu, do të konsideroja edhe reformën parlamentare e cila në këndvështrimin tim, është një reformë ku janë plotësuar pjesa më e madhe e ndryshimeve të kërkuara, por jo ndryshime kushtetuese për rregulloren, tha Bregu.
Ministrja e Integrimit foli për rezultate pozitive edhe ne fushat e tjera si ajo në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Nuk më shqetëson fakti që mazhoranca dhe opozita si kudo, nuk përputhen në përcaktimin e masës kritike të zbatimit të detyrimeve, nuk po flas me terma përjashtues, por po them që kemi realizuar një pjesë të mirë të detyrimeve, jemi në rrugë të plotësimit të tyre. Po flas për një rekord pozitiv, një trend pozitiv që ka ndryshuar në krahasim me vjet. Po flas për një trend të cilin e kam transmetuar edhe dje, për një rritje, dyfishim të rasteve në luftën kundër korrupsionit, konfiskimit të aseteve, të funksionimit më të mirë të ligjit antimafia, të kapjes së narkotikëve – i referohem rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar të vlerësuar nga ndërkombëtarët, nga struktura antimafia të vendeve të tjera që bashkëpunojnë me Shqipërinë – flas për plotësim detyrimesh që ishin Brenda Planit të Veprimit në çështjen e të drejtave të njeriut. Nuk mund të them se kemi zgjidhur përfundimisht çështjen e të drejtave të njeriut, ajo është kapitale për të gjithë botën, sikurse janë çështje që do të vazhdojnë përgjatë gjithë historisë politike të njerëzimit: lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, tha Bregu.