E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtesa për aksin Levan-Vlorë, Olldashi: I hapur për hetim

“Opozita kërkon të spekulojë me koston shtesë, ndërsa i kërkoj asaj të shqyrtojë dokumentacionin e rrugës dhe me ekspertët e saj të gjykojë procesin. Opozita gjithashtu mund të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor”, tha Olldashi në seancën e sotme plenare ndërsa bëri të ditur se ai personalisht dhe i gjithë stafi i tij do të ishin të predispozuar të raportonin për çdo dyshim të opozitës.
     
"Kosto prej 2.42 milionë euro për km që po shpenzohen për ndërtimin e autostradës Levan-Vlorë, përbën vlerën më të vogël për ndërtimin e një autostrade në rajon", deklaroi Olldashi.
    
Ministri Olldashi bëri të ditur gjithashtu se autostrada Levan-Vlorë është projektuar në kohën e qeverisjes socialiste, konkretisht në vitin 2004 dhe se në vitin 2007 rruga është tenderuar dhe është shpallur fituese kompania austriake "Alpin".
     
I gjithë procesi i tenderimit, sipas Olldashit, është mbikëqyrur nga bankat evropiane ndërkombëtare, BERZH dhe BEI.
    
Ai u shpreh se gjatë hartimit të projektit është bërë një gabim aritmetik, duke ulur koston e ndërtimit të autostradës me 4.9 milionë euro, për të cilat BERZH dhe BEI, pas rishikimit të dokumentacionit, e kanë pranuar si gabim teknik. Ndërkohë, kostoja shtesë prej 2.9 milionë eurosh parashikon edhe ndërtimin e një shtrese stabilizanti për arsye sigurie, si dhe për modifikimin e shtratit të lumit Vjosë, i cili me kalimin e kohës pësoi ndryshime. Një tjetër element që, sipas Olldashit, çoi në rritjen e kostos ishte edhe aspekti mjedisor i vënë si kusht nga dy bankat, BEI dhe BERZH dhe që parashikohet në një vlerë prej 2.1 milionë eurosh.
     
Ndërtimi i autostradës Levan-Vlorë ka nisur në vitin 2007, ndërsa në projekt ishte parashikuar të përfundonte brenda 24 muajsh. Por punimet ende nuk kanë përfunduar. Vonesat më të shumta për mospërfundimin e punimeve në afat kanë ardhur për shkak të procesit të shpronësimeve, rishikimit të projektit, por edhe për shkak të mosmenaxhimit të mirë nga kompania austriake Alpin. Kosto shtesë për ndërtimin e autostradës Levan-Vlorë është 18 milionë euro.  Në kosto përllogaritet edhe indeksimi i çmimit për punët që zgjasin mbi 18 muaj.
     
Në vitin 2004 kur edhe ishte projektuar autostrada parashikohej të kushtonte 42 milionë euro, ndërsa sot me koston shtesë prej 18 milionë euro të miratuar nga bankat BERZH dhe BEI, vlera e ndërtimit të autostradës parashikohet 60 milionë euro./Start/

                                                                                             2012-07-12 12:22
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›