Majlinda Bregu: Rama as që ka të krahasuar me Berishën
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka thënë se kryesocialisti Edi Rama është njeriu që ka shkatërruar politikën shqiptare. Sipas saj, për tre vjet me radhë Rama është duke mbajtur peng vendin.
Mbrëmë në ORA News, Edi Rama bëri pyetjen “A e dini se çfarë shkatërrimi ka sjellë kjo politikë?” Atëherë, nëse Edi Rama dëshiron të dijë për politikën shkatërruese, mjafton të shohë veten në pasqyrë. Sepse për 211 ditë, Rama ka bllokuar tre ligjet që duhen për integrimin në BE dhe realizimin e perspektivës europiane të gjithë shqiptarëve. Çdo herë që Kuvendi është mbledhur gjatë këtyre 211 ditëve, Ramës i është kërkuar të lejojë votimin e tre ligjeve, por çdo herë ai ka refuzuar. Madje, vitin e kaluar ne na u dha statusi i vendit kandidat, por Rama, me bllokimin e tij, bëri çmos ti mohonte Shqipërisë dhe shqiptarëve këtë status.
Dhe kur e pyetën mbrëmë se pse po i bllokon tre ligjet, Edi Rama nuk mundi as të trillojë një justifikim, sepse edhe alibitë e pakuptimta për sjelljen e tij shkatërruese i kanë mbaruar. E megjithatë, Edi Rama vazhdoi të mos u japë qytetarëve një shpjegim se pse u ka mohuar miliona euro investime të BE-së dhe mijëra vende pune që vijnë me integrimin. Rama refuzoi sepse nuk ka as moral dhe as ndonjë arsye domethënëse për të kundërshtuar. E gjitha ajo çka thotë Edi Rama janë justifikime të paarsyeshme, të trilluara në sallonin e tij mavi. Por tani është mëse e qartë se Rama, paturpësisht vazhdon të bllokojë tre ligjet me të vetmin qëllim: që të pengojë integrimin në BE. Edi Rama ka vetëm një shqetësim dhe një qëllim të vetëm: veten e tij dhe luftën për pushtet në Partinë Socialiste, ka thënë Bregu.
Ajo ka hequr një paralele mes Ramës dhe Sali Berishës, duke thënë se kryesocialisti as që ka të krahasuar me kryeministrin aktual.
Kështu, ndërkohë që Edi Rama vazhdon bllokimin, qytetarët presin. Ndërkohë që Edi Rama vazhdon politikën shkatërruese, ëndrrat europiane të qytetarëve mbahen peng.
Ja pra cili është njeriu që kërkon të bëhet kryeministër, që ska të krahasur me kryeministrin Berisha, që ka bërë gjithçka që procesi i integrimit të vijojë suksesshëm drejt integrimit europian. Dhe nuk do të reshtim deri sa Shqipëria të jetë anëtare e plotë e Bashkimit Europian dhe deri sa qytetarët të kenë të gjithë zhvillimin dhe të mirat që vijnë bashkë me të, shprehet Bregu./b.l