Greqi, emigrantët në protestë për të drejtat e tyre
Qindra emigrante dhe aktiviste protestuan sot ne Athine për te kërkuar nënshtetësinë për fëmijët dhe legalizim për të gjithë emigrantët.
Protesta ishte një iniciative e lëvizjes kundër racizmit dhe kërcënim fashist.
Emigrantë nga vende të ndryshme kanë manifestuar sot në qytetet kryesor të Greqisë, me parullën “Nënshtetësi për të gjithë fëmijët, pa përjashtime. Legalizim për gjithë emigrantët”.
Manifestimi, i iniciuar nga Lëvizja kundër racizmit dhe kërcënimin fashist, kishte për qëllim të shprehte protestën ndaj vendimit të qeverisë për të pezulluar procedurat e dhënies së nënshtetësisë, pas shpalljes si antikushtetues të ligjit përkatës, por edhe dispozitave që u jepnin emigrantëve të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhjet për pushtetin lokal.
Në Athinë, manifestimi i protestës filloi në sheshin Omonia, me drejtim selinë e parlamentit.
Aty emigrantët protestuan paqësisht, duke theksuar se ashpërsimi i dispozitave për nënshtetësinë, si dhe për legalizimin e emigrantëve në përgjithësi, i shërben vetëm rritjes së vokacionit të partisë neonaziste Agimi i Artë.
Pjesëmarrja e emigrantëve shqiptarë në këtë protestë ishte përsëri për të dëshiruar, pavarësisht përpjekjeve që kishin bërë drejtuesit e shoqatave të ndryshme.