Makinat Retro, paraqiten katër modele gjermane e amerikane ikona të viteve ’70-90

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit vijon traditën e prezantimit të mjeteve klasike në Komisionin “Retro”, një nismë që synon ruajtjen, dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë automobilistike në vend.
DPSHTRR njofton se, edhe këtë javë, pasioni për makinat e epokave të ndryshme është shoqëruar me paraqitjen e disa modeleve ikonë, të cilat përfaqësojnë kulmin e dizajnit dhe inxhinierisë së kohës.
Në këtë sesion u vlerësuan nga afër mjete që kanë lënë gjurmë në industrinë automobilistike gjermane dhe amerikane, duke ofruar një panoramë të gjerë të zhvillimeve teknike nga vitet ’70 deri në fund të viteve ’90. Çdo automjet paraqiti elemente unike të stilit të vet, nga luksin dhe elegancën europiane te fuqinë dhe karakterin sportiv amerikan.
Mjetet e paraqitura këtë javë ishin: 1987 Mercedes-Benz W126 560SEL – simbol i luksit gjerman dhe inovacionit të linjës S-Class; 1994 Pontiac Firebird – një ikonë amerikane e dizajnit sportiv të viteve ’90; 1973 Mercedes-Benz W114 280SE – një nga modelet më të dashura të serisë klasike W114, i njohur për elegancën dhe besueshmërinë dhe 1981 Mercedes-Benz R107 380SL, i famshëm që për vite me radhë ka përfaqësuar stil, prestigj dhe performancë.
Përmes “Retros”, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit jo vetëm dokumenton mjetet që kanë vlerë historike, por edhe i rikthen ato në vëmendjen e publikut dhe komunitetit të koleksionistëve.
Komisioni “Retro” vijon të shërbejë si një platformë ku promovohet historia automobilistike, ndërsa pasioni për mjetet klasike jetësohet në çdo sesion.
1 nga 5/e.xh/r.e/