E Martë, 3 Nëntor 2026

Makron pranon dorëheqjen e Attal, Kryeministri francez në largim do të vijojë punën deri pas lojërave olipmike

Presidenti francez Emmanuel Makron priti në pallatin Elize kryeministrin Gabriel Attal duke thënë se kishte pranuar dorëheqjen e tij nga drejtimi i qeverisë franceze. Megjithatë, Makron i ka kërkuar tij të vijojë të qëndrojë në post për të vepruar si kujdestar deri në përfundimin e lojërave olimpike dhe emërimin e një kabineti të ri.

Kjo lëvizje pritet t’u japë partive politike më shumë kohë për krijimin e një koalicioni qeveritar pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën në datën 7 korrik, asnjë forcë nuk arriti të merrte shumicën absolute.

Në ato zgjedhje forcë e parë doli Fronti I ri popullor, një aleancë e socialistëve, komunistëve, të gjelbërve si dhe partisë së ekstremit të majtë Franca e papërkulur, duke marrë 193 vende në asamblenë kombëtare me 577 deputetë. Aleancë a drejtuar nga Makron doli e dyta me 164 vende, ndërsa partia e ekstremit të djathtë e treta me 143 deputetë.

Pas zgjedhjeve, aleanca e të majtëve kërkoi t’i jepej e drejta për të caktuar kryeministrin e ri, por konfliktet e brendshme mes Francës së papërkulur dhe socialistëve, kanë minuar përpjekjet për të gjetur një figurë që mund t’i mbijetojë votëbesimit në parlament.  

Analistët ndërkohë thonë se Makron dhe Attal sërish shpresojnë të arrijnë të sigurojnë një mazhorancën të qendrës së djathtë në parlament, duke shmangur përfshirjen në koalicionin e ri qeveritar të Francës së papërkulur dhe tubimit kombëtar.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›