E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: 77 mijë përfitues nga DIVA, fondi i rimbursimit 1,4 miliardë lekë

TIRANË, 30 prill/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se deri më 31 mars u dorëzuan 164.263 deklarata individuale të të ardhurave, një rritje prej 25% në krahasim me vitin e kaluar.

Gjatë konferencës për shtyp mbi treguesit fiskalë për tremujorin e parë të vitit, Malaj tha se në kuadër të politikave mbështetëse sociale, rreth 77 000 individë pritet të përfitojnë kompensim nga sistemi DIVA për fëmijët nën 18 vjeç.

“Sistemi ka gjeneruar një fond total prej 1,4 miliardë lekë për rimbursim, për individët që kanë tepricë kreditore. Deri tani, janë kërkuar rreth 670 milionë lekë për t’u rimbursuar në llogaritë bankare të individëve”, u shpreh ai.

Në lidhje me administratën tatimore, ministri Malaj theksoi se, pavarësisht sfidave, sistemi ka funksionuar në mënyrë efikase dhe nuk janë raportuar probleme të mëdha pas 31 marsit, afati i përcaktuar për dorëzimin e deklaratave.

Ai vlerësoi përpjekjet për menaxhimin e një numri të madh deklaratash, që këtë vit arritën në 310.700, duke u përpjekur të optimizojnë çdo proces.

“Pa diskutim që kjo ka qenë një sfidë e madhe edhe për administratën tatimore pasi kemi pasur në total 310.700 deklarata të depozituara. Megjithatë procesi është administruar në mënyrë efikase, pasi ndërkohë që i afroheshim datë pas 31 mars nuk u raportuan më as problematika, as ngecje të sistemit nga ana e bizneseve apo dhe nga ana e ë individëve”, u shpreh Malaj.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›